Protesta kundër deklaratës së kryeministrit Kurti për Oliver Ivanoviqin, Foto: KALLXO.com

Protestohet kundër deklaratave të Kurtit për Ivanoviqin

Që nga ora 12:00, në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë, fëmijët e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë mbajtur protestë kundër deklaratave të kryeministrit Albin Kurti për politikanin e ndjerë serb, Olivier Ivanoviq.

Kjo protestë është mbajtur me moton: “Kryeministër, mos na shkel në gjak! Stop, devijimit të historisë”.

Përderisa është mbështetur edhe nga Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, i cili pasa disa ditëve ka bërë të ditur se do të marrë pjesë në protestën e organizuar ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti për Oliver Ivanoviqin.

“E mbështes protestën dhe do të jem pjesëmarrës në të. Kërkoj që të mbështetet edhe nga ju”- ka shkruar Klinaku.

Në anën tjetër, pankartat që u përdorën për të përçuar mesazhe më pas u vendosën në oborrin e objektit të Qeverisë së Kosovës.

Policia në gjendje gatishmëre para protestës kundër deklaratës së kryeministrit Kurti për Oliver Ivanoviqin, Foto: KALLXO.com
Protesta kundër deklaratës së kryeministrit Kurti për Oliver Ivanoviqin, Foto: KALLXO.com

 

Protesta kundër deklaratës së kryeministrit Kurti për Oliver Ivanoviqin, Foto: KALLXO.com

Më 16 janar 2023, në përvjetorin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, kryeministri Kurti kishte dalë me një deklaratë. Përmes një video-mesazhi ai kishte  theksuar se pesë vjet më parë, Oliver Ivanoviq u vra në rrugët e Mitrovicës.

Në këtë video, Kurti e konsideroi Ivanoviqin një person të përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij.

“Sot ne përkujtojmë jetën dhe kujtimin e Oliver Ivanoviqit, në ditën e vdekjes së tij. Mendimet dhe ngushëllimet e mia janë me familjen dhe miqtë e tij. Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij. Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord. Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumë etnike” – ka thënë Kurti.

“Pesë vjet më parë, Oliver Ivanoviq u vra në rrugët e Mitrovicës. Të gjithë ata që kryejnë një krim në Kosovë duhet të dalin para drejtësisë dhe më vjen keq që autorët dhe ata që e kanë porositur këtë krim ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë. Nevojitet angazhim i të gjitha institucioneve përkatëse për të gjetur dhe dënuar përgjegjësit për vrasjen e tij.” – ka thënë ai.

Ndaj deklaratës së Kurtit pati reagime edhe nga opozita.

“Në videon të cilën e ka publikuar kryeministrit thotë “Oliver Ivanoviq luftoi për qytetin e tij”, dhe lufta e Ivanoviqit për qytetin e tij është masakra ndaj shqiptarëve, është masakra ndaj 32 shqiptarëve i përfshirë dhe i dënuar me vendim gjykatë nëntë vjet”- ka thënë Arben Gashi nga LDK.

Më 18 janar, në një aksion simbolik të mbajtur para Qeverisë, Partia Socialdemokrate (PSD) ka vendosur para objektit të ekzekutivit një fotografi të politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq dhe një kurorë lulesh në të cilën shkruan “I pikëlluar, Albin Kurti”.

Molliqaj Deklaratën e Kurtit e quajti skandaloze dhe tha se arsyeja e vendosjes së kësaj panoje është që për sa kohë që Albin Kurti të jetë kryeministër, ky do të jetë vendi ku ai duhet ta nderojë Ivanoviqin.

“Deklarata e kryeministrit të Republikës së Kosovës për përvjetorin e Oliver Ivanoviq është skandaloze, është e papranueshme dhe me qëllimin e saj kryesor e ka desubjektivimin e njeriut.” – tha Molliqaj.

Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar të vitit 2018.