Protestë për punë para ndërmarrjes “Trepça” në Mitrovicë

Të pakënaqur me punësimet e fundit në ndërmarrjen “Trepça”, shumë kandidat të cilët kishin aplikuar në këtë konkurs po vazhdojnë protestën e tyre në tendën e ngritur para kësaj ndërmarrje në Stantërg.

Greva e këtyre kandidatëve ka filluar me datë 5 maj dhe po vazhdon edhe sot, ndërsa protestuesit paralajmërojnë vijimin e saj.

Arsim Musa, njëri nga organizatorët e kësaj proteste në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se protestuesit po vazhdojnë të qëndrojnë në tendë për 24 orë në ditë.

“Greva po vazhdon prapë, prej 5 majit në orë 11:00, kur e kemi filluar dhe jemi vendosur në tendë, po qëndrojmë për 24 orë në ditë”, ka thënë Musa.

Ai ka thënë se për shkak të pandemisë janë ndarë në grupe për të qëndruar në tendë.

“Jemi ndarë në tri grupe me nga 50 persona, edhe për shkak të pandemisë të mos bëhemi numër i madh i njerëzve, po funksionojmë me tri ndërrime gjatë 24 orëve”, ka thënë Musa.

Ai për KALLXO.com ka treguar se për kërkesën e tyre i janë drejtuar edhe Qeverisë së Kosovës.

“I jemi drejtuar Qeverisë, i jemi drejtuar ministres së Ekonomisë, që në mënyrë sa më të shpejtë ta formojnë bordin mbikëqyrës në ndërmarrjen “Trepça”. Kërkesa jonë është vetëm punësim dhe asgjë më shumë sepse ka pasur parregullsi të shumta”, ka thënë Musa.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se do të vazhdojnë protestën në mënyrë të qetë, deri në plotësimin e kërkesave.

Musa ka thënë se deri më tani, i ka vizituar vetëm nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, i cili ka shprehur përkrahjen për protestuesit.

Në procesin e fundit të punësimit të datës 24 shtator  2019, në këtë ndërmarrje kishin aplikuar mbi 1 mijë e 700 persona, prej të cilëve janë pranuar 216.