Protestë para objektit të Kuvendit kundër rrëzimit të qeverisë

Përderisa seanca për rrëzimin e Qeverisë Kurti po vazhdon, disa qytetarë janë mbledhur para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës me pankartat me mbishkrimin “Kundër mocionit”.

Qytetarët që protestojnë kundër rrëzimit të Qeverisë, shihen duke respektuar distancën fizike dhe të pajisur me maska dhe dorëza, si masa mbrojtëse nga coronavirusi.

Po ashtu sot, qytetarë të shumtë në lagje të Prishtinës kanë dalë në ballkonet e tyre duke përplasur mjete të forta në shenjë proteste për seancën e thirrur për sot për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Gjithashtu edhe të martën, qytetarët nga ballkonet e tyre nga ora 20:00 kanë protestuar për të kundërshtuar mocionin e mosbesimit.

Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës po mban seancën për të votuar mocionin e mosbesimit të iniciuar nga LDK-ja dhe të përkrahur nga partitë opozitare.

Seanca ka filluar nga ora 11:00.

Këto janë fotografitë nga organizimi i sotëm i qytetarëve para Kuvendit të Kosovës.