Protestë para Gjykatës në Prizren për dënimin me 15 vite burg ndaj të akuzuarit për vrasjen e gruas

Organizata për Mendim dhe Veprim Feminist ka mbajtur ka mbajtur protestë sot para Gjykatës Themelore të Prizrenit, duke kundërshtuar dënimin me 15 vite burgim për Ilir Haxhiajn, i akuzuar se në vitin 2019 e rrahu  bashkëshorten e tij, Hatije Dinën e cila vdiq më vonë pas lëndimeve të marra.

Protestuesit mbajtën pankartat me mbishkrimet “Drejtësia për gratë e vrara”, “Drejtësi për Hatije Dinën”, “Vrasja e grave është politike”, “Gjykatë është vrasje jo lëndim i rënde trupor”.

Njëra nga organizatoret e kësaj proteste para mediave tha se po protestojnë për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren.

“Sot jemi mbledhur për të protestuar kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Prizren, për dënim me 15 vite burgim për Ilir Haxhiajn i cili në vitin 2019 e rrahu dhe e vrau gruan e tij, Hatije Dinën, vendim ky të cilin e gjykojmë si të padrejtë”, ka thënë protestuesja.

Ajo tutje ka thënë se në vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren, ky veprim cilësohet si lëndim i lehtë trupor.

“Gratë vazhdojnë të dhunohet dhe përdhunohen pikërisht pse janë gra, ky rast është një dhunë e institucionalizuar, dhe ne do të kundërshtojmë fuqishëm deri sa drejtësia për gra të arrihet. Ne e kundërshtojmë këtë vendim dhe insistojmë në vendim meritor për Ilir Haxhiajn”, ka thënë protestuesja.

Sipas saj, vrasja e grave nga burrat duhet të dënohet më fuqishëm nga institucionet e drejtësisë dhe shteti duhet të merret më seriozisht me jetën e grave.

Gjykata e Prizrenit, i ka shqiptuar 15 vite dënim me burg Ilir Haxhiajt, i akuzuar se rrahu gruan e cila vdiq më pas pas lëndimeve nga kjo rrahje.

Këtë dënim e ka dhënë trupi gjykues i përbërë nga kryetarja Ajser Skenderi bashkë me anëtarë Raima Elezi dhe Kymete Kicaj.

Sipas Prokurorisë së Prizrenit, Haxhiaj e rrahu gruan e tij pas një mosmarrëveshjeje, duke i shkaktuar asaj lëndime të rënda trupore që rezultuan me vdekjen e saj.

Viktima Hatije Dina kishte vdekur më datë 31 maj, dy javë pas plagëve të pësuara me datë 15 maj si pasojë e dhunës të bashkëshortit.

Ndërsa, tashmë i dënuari është në paraburgim prej datës 1 qershor të vitit 2019.

Aktakuza e Prokurorisë thotë se ngjarja ka ndodhur më datë 31 maj në fshatin Samadraxhë të Suharekës, gjatë kohës kur i akuzuari  sa ishte me bashkëshorten e tij në veturë, janë fjalosur si pasojë e një mosmarrëveshjeje.

Prokuroria pretendon se në dalje të fshatit Samadraxhë, i dyshuari ka ndalur veturën e tij në anën e djathë të rrugës dhe ka nxjerrë viktimën jashtë veturës dhe ka filluar ta grushtojë, duke e goditur në të gjitha pjesët e trupit.

Në aktakuzë thuhet se viktima Hatije Dina si pasojë e sulmit nga bashkëshorti është rrëzuar në asfalt, ndërsa i akuzuari ia kishte kapur kokën dhe disa herë e kishte goditur për asfalti.

Si rrjedhojë e goditjeve dhe lëndimeve të pësuara, e ndjera Hatije Dina ka pësuar dëmtime e trauma në kokë, fytyrë, gjoks, shpinë dhe duar, nga të cilat goditje ka vdekur në QKUK në Prishtinë më 15 qershor.

15 vjet burg për burrin që mbyti gruan duke e goditur për asfalti