Protestë nga sindikalistët e Shërbimit të Jashtëm, thonë se në Ministrinë e Jashtme nuk ka ambient pune

Shoqata Sindikale e Anëtarëve për Shërbim të Jashtëm ka protestuar sot para Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Ata thonë se protesta është organizuar si shkak i pakënaqësive që kanë ndaj menaxhmentit të kësaj ministrie.

Diplomati Albert Prenkaj ka thënë se në MPJD është instaluar një mënyrë e jashligjshme e sistemit “të frikësimit, shantazhimit dhe kërcënimit”.

“Të gjithë së bashku jemi dëshmitarë të një presioni ndaj secilit prej nesh dhe ne i pamë kolegët tanë duke u larguar sepse janë të frikësuar. Në MPJD fatkeqësisht është instaluar në mënyrë të jashtligjshme sistemi i frikësimit, shantazhimit dhe kërcënimit të privilegjeve të pa merituara në mënyrat më të ndryshme ndaj zyrtarëve tanë”- ka deklaruar Prenkaj.

“Në këtë institucion nuk ekziston një ambient i sigurtë i përshtatshëm pune për mbrojtjen e integritetit fizik, profesional e moral dhe dinjitetit të zyrtarëve” – shtoi ai.

Prenkaj përmes disa kërkesave të parashtruara ndaj MPJD-së, ka kërkuar që të ndërprehet, siç e ka quajtur ai “sulmi ndaj aktivitetit sindikal”.

“Për të ndërprerë këtë dukuri, Shoqata Sindikale kërkon që menjëherë të kthehet rendi kushtetues dhe ligjshmëria në Shërbimin e Jashtëm të Kosovës, të shfuqizohet menjëherë nga Qeveria e Kosovës rregullorja mbi riorganizimin dhe sistematizimin në MPJD” – ka thënë Prenkaj.

Ai ka kërkuar që fillimisht të nxirret ligji i ri për shërbimi e jashtëm e më pas të rregullohen aktet nënligjore.

“Të ndërpritet sulmi kundër aktivitetit sindikal gjegjësisht kryetarit të shoqatës, Agron Maloku, të shfuqizohet vendimi për largimin e tij dhe të kolegëve të tjerë që janë larguar në mënyrë të dhunshme dhe kthimi menjëhershëm i tyre në MPJD” – kanë qenë disa nga kërkesat e SHSASHJ-së.

Protesta para Ministrisë së Punëve të Jashtme, Foto: KALLXO.com
Protesta para Ministrisë së Punëve të Jashtme, Foto: KALLXO.com

Kryesindikalisti i MPJD-së risistemohet në MSh, Shoqata Sindikale e quan veprim të kundërligjshëm