Protestë në Spitalin e Vushtrrisë pas sulmit fizik ndaj laborantit

Personeli i Spitalit “Sheikh Zayed” në Vushtrri sot kanë protestuar para objektit të spitalit.

Arsyeja e kësaj proteste disa minutëshe u tha se vjen pas një sulmi që është bërë dje nga një pacient ndaj një laboranti.

Ata kanë kërkuar drejtësi dhe parandalim të rasteve të sulmeve ndaj personelit mjekësor.

Naser Tahiri, nënkryetar i Sindikatës së spitalit ka dhënë detaje rreth sulmit që ka ndodhur dje.

“Sot jemi mbledhur në këtë protestë për shkak se dje është sulmuar fizikisht laboranti L.L brenda objektit të spitalit. Ngjarja ka ndodh rreth ora 13:00. Ne nuk jemi të kënaqur me sjelljen e disa pacientëve edhe përkundër gjendjes së pandemisë që ne mundohemi të u ofrojmë shërbime, në mënyrën më të mirë të mundshme nga ana jonë, e me ndodh edhe sulmi fizik ndaj punëtorëve shëndetësor, është e papranueshme”, tha ai për KALLXO.com.

Sipas tij, personi i cili e ka sulmuar laborantin ka qenë dy herë në spital ndërsa rasti i sulmit ka ndodhur rreth orës 13:00.

“Personi në fjalë ka qenë njëherë rreth orës 8:00 në mëngjes e ka kërkuar një shërbim që ne nuk e ofrojmë këtu, më vonë ka ardhur në shërbimin e rëntgenit për një fotografim, por ai shërbim punon me orar të shkurtuar. Ka  kërkuar nga laboranti një raport për radiologji. Ai ka filluar dhe ka përfunduar me sulm fizik. Po kërkojmë drejtësi dhe parandalim të këtyre rasteve”, deklaroi Tahiri.

KALLXO.com merr vesh se personi i cili ka sulmuar laborantin fillimisht është arrestuar nga Policia e Kosovës e më pastaj është liruar në procedurë të rregullt.