Protestë në Podujevë - Katër fshatra kërkojnë largimin nga karantina

Në Komunën e Podujevës, katër fshatra janë tash e 18 ditë në karantinë.

Kjo për shkak të rasteve të konfirmuara me coronavirus në këtë komunë.

Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari ka thënë për KALLXO.com se është protestuar nga ana e banorëve të katër fshatrave, Dumnicë e Poshtme, Dumnicë e Epërme, Llausha dhe nga Përpëllaci.

“Po sigurisht kam qenë i informuar për protestë. Kërkesat e protestuesve kanë qenë që të hiqen nga karantina pasi që sipas tyre por edhe sipas nesh, shtabit emergjent, nuk ka më arsye për të qëndruar në karantinë”, tha Rudari për KALLXO.com.

Tutje ai shtoi se kanë bërë kërkesë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë që të shqyrtojnë heqjen nga karantina të katër fshatrave pasi janë më shumë se 18 ditë që janë vendosur dhe se nuk ka pasur raste të reja të konfirmuara me coronavirus.

“Kemi bërë kërkesë nga Ministria e Shendësitësisë që me i hjek katër fshatrat prej karantine sepse konsiderojmë se kanë pushuar të gjitha arsyet për izolim dhe kemi kërkuar që kjo masë të ndrrohet me një masë siç është izolimi i familjes sepse më asnjë rast nuk e kemi pasur të ri dhe pacientët që janë trajtuar në Klinikën Infektive tani më janë liruar pasi janë shëruar”, shtoi Rudari.

Sipas tij që 18 ditë janë të katër fshatrat në izolim dhe protesta e krijuar sot është bërë nga përfaqëssuesit e këtyre fshatrave.

“Ne vazhdimisht kemi kërkuar që karantimi të ndërrohet me izolim të lagjes së familjes por jo katër fshatra. Po mirë masat kanë qenë preventive por pasi qe skemi pas rast të ri kemi këruar me heq. Kanë protestuar përfaqësues të fshatrave që janë në karantinë”, tha në fund Rudari.

Komuna e Podujevës ka pasur katër raste të konfirmuara me coronavirus.

Viktima e parë e shënuar në Kosovë nga coronavirus ishte një 82 vjeçar nga po kjo komunë saktësisht nga fshati Dumnicë.

Nënkryetari i Komunës së Podujevës ka thënë se dy të infektuar janë shëruar dhe janë liruar në shtëpi ku po vazhdojnë të qëndrojnë brenda shtëpive ndërsa një ende është në trajtim.