Protestë në fshatin Shipashnicë, reagon Qëndron Kastrati

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka dhënë sqarime sa i përket një proteste të organizuar nga prindërit që është raportuar se ka ndodhur sot në fshatin Shipashnicë.

Sipas Kastratit, zyrtarët komunalë kanë qenë duke dërguar pajisje dhe inventar për çerdhen e këtij fshati.

“Në Kamenicë vetëm 3.99% e fëmijëve shkojnë në kopsht. 96% të tjerë apo rreth 1400 fëmijë qëndrojnë në shtëpi. Edhe pse edukimi parashkollor është kusht i domosdoshëm për zhvillimin e secilit fëmijë, në Kamenicë jo të gjithë e kanë këtë mundësi.  Ashtu siç e kemi stërthënë, objektet e shkollave të fuzionuara do të përdoren për qëllimet më të mira për komunitetin. Dhe kështu, ne sot dërguam pajisjet dhe inventarin për çerdhen e Shipashnicës së Poshtme e cila do t’u shërbente fshatrave përreth.  Është paraparë që të punësohen rreth 12 punëtorë dhe që dy vitet e para të jenë pa pagesë për fëmijët”, ka shkruar Kastrati në Facebook.

Sipas tij, ëhtë vërtetë për keqardhje deri në ç’masë është duke u manipuluar komuniteti “nga disa të badihavaxhinj”, duke e fajësuar edhe ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci pas vendimit të fundit të saj për organizimin e mësimit plotësues në këtë anë.

“Nuk do ta besoja kurrë që në shekullin XXI një prind më përpara e dëgjon një manipulues sesa zemrën e tij për fëmijën e vet. Për më shumë, Ministrja Nagavci me çasjen e saj po hedhë benzin në zjarr. Kjo është e turpshme dhe e pafalshme.  P.S. Sipas neuroshkencëtarëve, truri i fëmijës deri në moshën 2 vjeç ka periudhën më intensive të zhvillimit, pas kësaj moshe proceset fillojnë dhe reduktohen. Prandaj, është e rëndësishme që fëmija të rritet në një ambient të pasur me informacion dhe veprime nxitëse, me bashkëmoshatarë dhe edukatorë profesional”, ka shkruar më tej Kastrati.

Mediat lokale në Kamenicë kanë raportuar se ka ndodhur një protestë në fshatin Shipashnicë, e cila është organizuar nga disa prindër, të cilët kanë penguar zyrtarët e komunës.

Riorganizimi në arsim në Komunën e Kamenicës ka filluar që nga gushti i vitit të 2019 dhe kjo inicativë ishte kundërshtuar qysh nga fillimi nga ana e prindërve.

Në kuadër të këtij riorganizimi ishte planifikuar që cikli i ulët klasa 1-5 dhe cikli i lartë klasa 6-9 të ndahen në objekte të veçanta.

Pjesë e projektit kanë qenë 29 shkolla fillore dhe të mesme të ulëta . Shtatëmbëdhjetë (17) janë shkolla amë dhe dymbëdhjetë (12) janë paralele të ndara. Ndërsa në fazën e parë të riorganizimit janë shuar 4 shkolla.

Rezistencë karshi ‘reformës’ pati nga të gjitha anët, madje prindërit e fshatrave Topanicë e Koretin nuk lejuan që fëmijët e tyre të udhëtonin me autobus.

Beteja e disa prindërve në Kamenicë dhe Komunës së Kamenicës kishte kaluar disa herë nëpër Gjykatën Themelore në Prishtinë si dhe Gjykatën e Apelit.

Gjykata e Apelit në janar të këtij viti e kishte aprovuar ankesën e Komunës së Kamenicës për vazhdimin e fazës së tretë të reformës në arsim në këtë Komunë.

Merret vendim për kompensimin e orëve të humbura në Kamenicë

 

/.