Protestë me maskota (VIDEO)

Me dhjetëra maskota të veshura si njerëzit, kanë zënë karriget e restorantit “Bagolina” në Prishtinë. Me pije e ushqim në tavolinë e në sfond “zhurma” e improvizuar e klientëve maskotat do të qëndrojnë për 11 ditë në këtë formë.

Kjo protestë simbolike është organizuar si kundërshtim i masave të Qeverisë për mbylljen e gastronomisë për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Pronari i restorantit, njëherazi edhe kryetar i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi thotë ironikisht se arsyeja pse po protestojnë në këtë mënyrë simbolike, është që mos të përhapet virusi.

“Kështu erdhi si ide se si do të duket restauranti jonë për një ditë pune. Kundërshtimi i masave ka ardhur sepse të gjithë këta njerëz që do duhej të ishin këtu, e në të vërtetë janë maskota, kanë dalë jashtë Kosovës dhe janë duke i frekuentuar vendet në rajon që nuk është zgjidhje, sepse paraja po shkon në vende tjera por virusi po kthehet përsëri këtu”, thotë ai.

Kllokoqi thotë se maskotat do i lënë për 11 ditë në këtë formë, derisa autoritetet të kuptojnë që nuk duhet të merren vendime që dëmtojnë bizneset.

Me vendim të Qeverisë, gastronomia dhe qendrat tregtare mbyllen për 12 ditë, nga data 6 prill e deri më 18 prill si masë parandaluese për përhapjen e COVID-19.

Protesta simbolike e gastronomëve; Fotografi: Antigonë Isufi/KALLXO.com
Protesta simbolike e gastronomëve; Fotografi: Antigonë Isufi/KALLXO.com
Protesta simbolike e gastronomëve; Fotografi: Antigonë Isufi/KALLXO.com
Protesta simbolike e gastronomëve; Fotografi: Antigonë Isufi/KALLXO.com