Protestat në Iran: Cila është origjina e frazës 'grua, jetë, liri'?

Fjalët mbartin fuqi. Ato formojnë besimet tona, drejtojnë sjelljen tonë dhe në fund krijojnë botën tonë.

Në Iran, tri fjalë të thjeshta janë bërë jashtëzakonisht të rëndësishme muajt e fundit: “Gruaja, jeta, liria”.

Duke u përhapur në të gjithë vendin dhe në komunitetet iraniane në mbarë botën, ato janë thirrja e protestave antiqeveritare që shpërthyen në shtator, pas vdekjes së Mahsa (Jina) Amini, një gruaje të re kurde.

Por cila është origjina e shprehjes ‘grua, jetë, liri’? Si u përhap në Iran? Dhe pse është kaq jetike për protestuesit?

 “Nga Turqia, në Siri, në Iran”

Fraza ka një histori të gjatë mes kurdëve në Lindjen e Mesme.

Kjo frazë mund të gjurmohet tek gratë në Lëvizjen Nacionalçlirimtare Kurde në Turqi dhe në shkrimet e Abdullah Öcalan, themeluesit të PKK-së (Partia e Punëtorëve të Kurdistanit).

Kurdët janë një grup etnik prej 30 milionë banorësh, të shpërndarë në Turqi, Irak, Siri dhe Iran, të cilët ndajnë një kulturë dhe gjuhë të ngjashme. Ata janë një nga popujt më të mëdhenj pa shtetësi në botë dhe kanë bërë një luftë shekullore për njohje dhe pavarësi më të madhe, veçanërisht në Turqi.

“[Gratë, jeta, liria] reflektohen shumë në filozofinë politike të Öcalanit”- thotë për Euronews Meghan Bodette, Drejtore e Kërkimeve në Organizatën Kurde të Paqes.

“Ai shkroi se për ta çliruar shoqërinë nga shfrytëzimi ekonomik [ose] popullin kurd nga shtypja kombëtare… forma e parë e shtypjes që duhet të trajtohet është shtypja e grave pasi ajo çon në të gjitha hierarkitë e tjera”.

“Ideja se liria e gruas është thelbësore për lirinë e të gjithë shoqërisë – kjo është ajo që përfshihet në këtë slogan”- shtoi ajo.

Fraza mbeti domethënëse për lëvizjen kurde në Turqi, duke u përdorur në demonstratat dhe takimet e grave kurde që në vitin 2003. Megjithatë, ajo nuk u përhap gjerësisht derisa shpërtheu Lufta Civile siriane në vitin 2011.

Ndërkohë që Siria shpërbëhej në enklavat e saj të ndryshme rajonale dhe etnike, gratë kurde në YPJ, një milici e përbërë vetëm me femra, e zbatuan këtë frazë duke e luftuar Shtetin Islamik dhe duke ndihmuar në krijimin e një shteti autonom në Sirinë veriore, i cili miratoi ligje progresive për të drejtat dhe statusin e grave.

“Kjo përpjekje e pushtoi imagjinatën e kurdëve në të gjithë Lindjen e Mesme, veçanërisht të grave në Kurdistanin iranian”- thotë Dr. Marouf Cabi, anëtare në London School of Economics’s Middle East Centre.

“Njerëzit i përcollën lajmet, i kushtuan vëmendje, u identifikuan me luftën kundër ISIS-it dhe atë që po ndodhte në Rojava”- tha ai për Euroneës. “Kjo është koha kur fraza e lartcekur hyri për herë të parë në ndërgjegjen e njerëzve”.

Si u përhap në Iran fraza ‘grua, jetë, liri’?

Të rikthehemi prapa në datën 17 shtator 2022.

Gjatë funeralit të Mahsa (Jina) Aminil, e cila vdiq pasi u arrestua nga policia morale e Iranit, gratë kurde i hoqën shamitë e tyre që duhet t’i mbanin me ligj dhe filluan të thërrisnin “gratë, jeta, liria”.

“Gratë kurde që protestojnë për këtë vrasje ka të ngjarë ta kenë parë atë që ndodhi [me Aminin] si një shembull të dhunës patriarkale dhe shtetërore me të cilën si kurdë – dhe si gra – përballen çdo ditë”- tha Bodette.

Familja dhe aktivistët e Ahsa Amini thonë se ajo u vra nga policët, të cilët e goditën dhunshëm disa herë në kokë, megjithëse autoritetet iraniane pretendojnë se 22-vjeçarja vdiq nga një atak në zemër.

Ajo u arrestua pasi dyshohet se nuk e mbante shaminë e saj siç duhet dhe kishte veshur xhinse të ngushta.

‘Gratë, jeta, liria’ u përhap shpejt në të gjithë Iranin ndërkohë që protestat për vdekjen e Amini përfshinë krejt Iranin.

Sipas Bodette, fraza me tri fjalë u bë kaq e njohur sepse rezonon pikërisht me atë që njerëzit në Iran po luftojnë. “Ai përfaqëson gjithçka që shteti iranian është kundër”- tha ajo.

Përpjekjet për barazi gjinore dhe të drejtat e grave dhe pakicave etnike në Iran filluan pothuajse menjëherë pas Revolucionit Islamik të vitit 1979.

Pavarësisht se premtoi se nuk do të ndodhte, qeveria e re së shpejti filloi zbatimin e ligjeve të rrepta islame dhe kodeve të veshjes mbi popullatën, duke e bërë të detyrueshme për gratë që të mbajnë shami në vitin 1983.

Ndërkohë, përpjekjet e popullsisë kurde të Iranit për ta krijuar pavarësinë e tyre u shtypën brutalisht në vitet pas revolucionit, duke çuar në të paktën 10,000 të vdekur dhe 200,000 njerëz të zhvendosur.

“Këto fjalë [‘gratë, jeta, liria’] janë përmbledhje e një lufte kundër të gjitha llojeve të ekstremistëve fetarë dhe shteteve autoritare si në Iran ashtu edhe në rajon”- tha Bodette.

“Është bërë një frazë tërheqëse”

Megjithatë, ka disa shqetësime rreth mënyrës se si përdoret fraza, e cila i vë në pah çështjet historike që ndikojnë në popullsinë kurde në Iran dhe Lindjen e Mesme.

“Ka pasur kritika nga shumë kurdë, veçanërisht nga shumë gra kurde, se slogani ndonjëherë është ndarë nga rrënjët e tij kurde”- thotë Bodette, veçanërisht kur përdoret nga media ndërkombëtare, persona të famshëm, brende dhe politikanë.

Për shembull, fjalët shkruhen herë pas here vetëm në persisht ose anglisht, jo në gjuhën kurde.

Ndërsa ajo tha se shumë kurdë janë të lumtur t’i shohin protestuesit që e miratojnë këtë frazë – duke e parë pozitivisht se të tjerët po i përqafojnë idetë e tyre – Bodette pretendon se kjo ndarje mund ta “fshijë” “historinë radikale të rezistencës ndaj shtypjes” nga kurdët kudo që qëndron prapa saj.

“Kjo histori është vërtet e rëndësishme për ta treguar fuqinë e vërtetë të këtyre fjalëve, se lëvizjet e udhëhequra nga gratë mund ta bashkojnë shoqërinë kundër qeverive shtypëse, fondamentalizmit fetar dhe ultra-nacionalizmit”- thotë ajo për Euronews.

Gratë kurde besojnë se lëvizja e tyre është një lëvizje universale për lirinë e grave kudo”.

“Edhe nëse qeveria iraniane nuk rrëzohet nesër, protestat kanë vërtetuar tashmë se ideja “gratë, jeta, liria” është një ide shumë e fuqishme”./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala