
Flamuri i Kinës, Foto: Pixabay
Protesta të dhunshme në Kinë pas vdekjes së dyshimtë të adoleshentit
Vdekja e një adoleshenti ka shkaktuar protesta të dhunshme në një qytet në veri-perëndim të Kinës – ka konfirmuar BBC përmes një xhirimi të verifikuar.
Në videot e shpërndara në mediat sociale, protestuesit mund të shihen duke hedhur objekte ndaj Policisë dhe policët duke rrahur disa demonstrues në Pucheng në provincën Shaanxi.
Autoritetet kanë deklaruar se adoleshenti ra për vdekje më 2 janar, në një aksident në Konviktin e Shkollës së tij. Por, pas akuzave për vdekjen e tij filloi të përhapej në mediat sociale se e vërteta ishte ndryshe.
Protestat shpërthyen menjëherë pas kësaj dhe zgjatën disa ditë, përpara se ato të shuheshin me sa duket në fillim të kësaj jave. BBC nuk ka parë asnjë provë tjetër të protestës në Pucheng, që atëherë.
Demonstratat publike janë të rralla në Kinë, por autoritetet kanë qenë veçanërisht të ndjeshme ndaj tyre që nga protestat me letra të bardha të vitit 2022 kundër politikave të COVID-it, të cilat u shënuan me kritika të rralla ndaj Partisë Komuniste Kineze dhe presidentit Xi Jinping.
Media shtetërore nuk e ka shkruar asnjë fjalë për protestat në Pucheng. Çdo xhirim ose referencë e demonstratave është censuruar kryesisht nga mediat sociale kineze – siç ndodh zakonisht për incidentet që konsiderohen të ndjeshme nga autoritetet.
Por, disa video kanë dalë jashtë Kinës dhe janë postuar në X.
Transmetuesi britanik BBC ka konfirmuar se ato janë filmuar në Qendrën e Arsimit Profesional Pucheng dhe nuk kanë gjetur versione të mëparshme në internet, përpara shpërthimit të raportuar të protestave gjatë ditëve të fundit.
Kur u kontaktua nga BBC-ja, një përfaqësues nga Departamenti për Media i Qeverisë në Pucheng mohoi se kishte pasur protesta. Nuk kishte asnjë përgjigje kur BBC-ja telefonoi një zyrtar që trajtonte pyetjet e medias.
Në një deklaratë të lëshuar në fillim të kësaj jave, autoritetet lokale thanë se adoleshenti me mbiemrin Dang ishte nxënës i vitit të tretë në Qendrën Arsimore në Pucheng.
Para vdekjes së tij, Dang ishte zgjuar natën nga nxënës të tjerë duke biseduar në Konviktin e tij – thuhet në deklaratën e tyre. Ai ka hyrë në një debat dhe sherr me një djalë, të cilin e ka zgjidhur një zyrtar i Shkollës.
Më vonë atë natë, trupi i tij u gjet nga një nxënës tjetër në këmbët e bllokut të Konviktit.
Deklarata e përshkruan atë si “një aksident ku një nxënës u rrëzua nga një lartësi në Shkollë.” Ai shtoi se Policia kishte kryer hetime dhe një autopsi dhe “për momentin e përjashton atë si një çështje penale”.
Por kanë qarkulluar akuza në internet prej ditës kur ndodhi rasti dhe Shkolla e autoritetet po fshihnin të vërtetën. Një llogari pretendonte, pa prova, se Dangu vrau veten pasi u ngacmua nga djali me të cilin ishte përleshur më parë.
Kanë qarkulluar edhe deklarata të paverifikuara nga familja e tij, duke pretenduar se dëmtimet në trupin e Dangut nuk përputheshin me versionin e ngjarjeve të autoriteteve dhe se familjarët nuk u lejuan ta kontrollonin trupin e tij për një kohë të gjatë.
Akuzat duket se kanë zemëruar shumë njerëz në Pucheng – duke shkaktuar protesta që nxorën të paktën qindra njerëz në rrugë.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com