Protesta në veri, 07.08.2024. Foto: Florinda Kelmendi/KALLXO.com

Protesta në veri, deklarohet Policia e Kosovës

Policia e Kosovës është deklaruar lidhur me protestën që është mbajtur të mërkurën më 07.08.2024, në sheshin “Car Lazar” në Mitrovicë të Veriut.

Në njoftim është thënë se në 11:00h në afërsi të urës së Ibrit ka filluar të mbahet protesta e paralajmëruar e disa qytetarëve të nacionalitetit serb, për të shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me situatën dhe deklarimet për hapjen e urës mbi Ibër për qarkullim.

Policia e Kosovës tha se është kujdesur për mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe ofrimin e sigurisë për protestuesit para, gjatë dhe deri në përfundim të protestës.

Tutje u tha se në 12:00h, protesta ka përfunduar e qetë dhe protestuesit janë shpërndarë, përderisa njësitet policore kanë vazhduar me detyrat e rregullta policore.

Disa nga protestuesit janë parë me pankarta përmes të cilave përçuan mesazhe.

“Nëse hapet ura, KFOR dhe QUINT do të jenë përgjegjës për të gjitha” – është një nga mesazhet në protestën e sotme.

“Përderisa BE dhe SHBA shkruajnë komunikata, neve po na përzënë”, “Në urë e kemi mbrojt qëndresën, tash e mbrojmë zhdukjen” e “Kërkojmë nga FKOR që të na mbrojë” – janë disa nga mesazhet tjera.

Në krye të protestuesve, edhe kësaj radhe janë parë politikanët serb nga pari të ndryshme.

Ashtu si herëve të tjera, edhe kësaj radhe qytetarë e mbledhur në shesh kanë filluar protestën duke lëshuar këngë nacionaliste.

Më 06.08.2024, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut tha se protesta parashihet të jetë e qetë.

Ai njoftoi se Policia do të jetë aty në numër të mjaftueshëm që të mbajë rendin dhe qetësinë publike.

Përderisa sot, përpos Policisë, edhe ekipe të EULEX e të KFOR janë parë duke qëndruar në urën e Ibrit e edhe duke lëvizur nëpër zonën ku po mbahet protesta.

Ndërsa më 06.08.2024 është bërë një inspektim teknik në urën kryesore mbi lumin Ibër.

KALLXO.com raportoi se kompania fituese për këtë isnpektim është përzgjedhur “IPE-PROING”. Punëtorët e kompanisë dolën në terren për të kryer disa matje të urës.

Nga kompania nuk pranuan të deklarohen ndërsa, përmes telefonit refuzuan të japin detaje.

Ministria e Infrastrukturës përmes platformës elektronike ka publikuar kontratën për dhënien e një tenderi me titull “Përcaktimi i kapacitetit mbajtës të strukturës së urës ekzistuese mbi lumin Ibër në Mitrovicë, me ngarkesa testuese”.

Vlera e tenderit është 9 mijë e 640 euro.

Misioni paqeruajtës në Kosovë, KFOR, më pas bëri të ditur se komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş ishte njoftuar nga drejtori i Policisë së Kosovës për këtë inspektim.

Prej kur nisi diskutimi në publik për mundësinë e hapjes së urës mbi lumin “Ibër” përfaqësues të shteteve të huaja në vendin tonë e kanë kundërshtuar si ide.