Protesta në Mitrovicën e Veriut - LIVE

(Lajm në zhvillim)

20:00

Shpërndahen qytetarët që protestonin para Gjykatës së Mitrovicës

Qytetarët që protestuan sot gjatë ditës para Gjykatës së Mitrovicës, duke kërkuar lirimin e 4 të arrestuarve nën dyshimin për sulm ndaj zyrtarëve policorë në Mitrovicën e Veriut, janë shpërndarë në orët e mbrëmjes.

Protestuesit u shpërndanë pasi morën vesh që Gjykata para të cilës ata protestonin caktoi masën e arrestit shtëpiak ndaj të dyshuarve.

Lajmi për caktimin e masës së arrestit shtëpiak është konfirmuar nga avokati Shyqyri Syla.

Sipas avokatit, Prokuroria kishte kërkuar masën e paraburgimit ndaj të dyshuarve.

“Gjyqtari i procedurës paraprake në seancën dëgjimore e refuzoi kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e paraburgimit dhe ua caktoi masën e arrestit shtëpiak” – tha avokati.

Që nga ora 10:00 e paraditës një grup qytetarësh të komunitetit serb kanë protestuar te hyrja e Gjykatës, duke kërkuar lirimin e personave të ndaluar.

19:13

Arrest shtëpiak për 4 të dyshuarit për sulm ndaj policëve në Mitrovicë të Veriut

Gjykata e Mitrovicës ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj 4 personave që janë arrestuar në Mitrovicë të Veriut nën dyshimin për ofendim dhe sulm ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Lajmi është konfirmuar nga avokati Shyqyri Syla.

Sipas avokatit, Prokuroria kishte kërkuar masën e paraburgimit ndaj të dyshuarve.

“Gjyqtari i procedurës paraprake në seancën dëgjimore e refuzoi kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e paraburgimit dhe ua caktoi masën e arrestit shtëpiak” – tha avokati.

Që nga ora 10:00 e paraditës një grup qytetarësh të komunitetit serb kanë protestuar te hyrja e Gjykatës, duke kërkuar lirimin e personave të ndaluar.

18:21

Njësia Speciale e Policisë vendoset në afërsi të stacionit policor në Mitrovicë të Veriut

Pjesëtarë të Njësisë Speciale Operative (NJSO) të Policisë së Kosovës dhe të Njësisë së Reagimit të Shpejtë (NJRSH) janë vendosur në afërsi të stacionit policor të Mitrovicës së Veriut, më saktë në fillim të rrugës që të dërgon te ky stacion.

Afër stacionit aktualisht është një numër i qytetarëve të komunitetit serb që po qëndrojnë para degës së Gjykatës Themelore të Mitrovicës në veri, në të cilën është duke u mbajtur seanca ndaj katër personave që u arrestuan si të dyshuar për ofendim e sulm ndaj Policisë së Kosovës.

Ekipi i KALLXO.com që gjendet në terren raporton se poshtë në rrugën ku është stacioni e Gjykata janë parë edhe disa autoblinda të Policisë.

Foto: Florinda Kelmendi/KALLXO.com

Protestuesit janë duke kundërshtuar arrestimin e katër qytetarëve, teksa në krye të tyre që nga ora 10:00 e mëngjesit ka qenë politikani serb Aleksandar Arsenijeviq.

Edhe në hyrje të stacionit policor e edhe në oborrin e Gjykatës janë parë policë të rendit, të cilët pasdite i kanë veshur jelekët antiplumb si dhe kanë vendosur helmetat në kokë.

“Lirojini fëmijët” është thirrja e protestuesve të cilët janë duke protestuar afër stacionit policor në veri sot më 11.09.2024.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi edhe zv.drejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veriu të Policisë së Kosovës, Veton Elshani, i cili potencon se Gjykata do të vendosë nëse të njëjtit shkojnë në procedurë të rregullt apo në paraburgim në afat prej një muaji.

“Para dy netëve, dje në mëngjes pas gjysmës së natës ka ndodhë një arrestim ku i kemi arrestu katër persona lidhur me sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare dhe tashmë njerëzit janë mbledhur për protestë për lirimin e këtyre personave. Dje e kemi dërguar lëndën te prokurori. Prokurori e ka dërgu lëndën në gjykatë dhe tash pritet të mbahet seanca gjyqësore dhe vendos gjykata nëse shkojnë në procedurë të rregullt apo në paraburgim një mujor”- tha ai për Kallxo.com.

18:09

Pjesëtarët e Policisë në Mitrovicë të Veriut veshin jelekët antiplumb

Pjesëtarët e Policisë të stacionit në Mitrovicë të Veriut që po kujdesen për rendin dhe sigurinë në zonë kanë veshur jelekët antiplumb dhe kanë vendosur helmetat.

Policët po kujdesen për rendin te hyrja e stacionit të Policisë por edhe në hyrje të Gjykatës, ku sot janë sjellë katër persona, të arrestuar nën dyshimin se kanë ofenduar dhe më pas edhe sulmuar pjesëtarët e Policisë.

Që nga ora 10:00 e paradites, një numër qytetarësh të komunitetit serb kanë protestuar te hyrja e Gjykatës, duke kërkuar lirimin e personave të ndaluar.