Uji

Protesta në Krujë për helmimin e ujit të pijshëm  

Qytetarët në Krujë të Shqipërisë kanë protestuar sot për helmimin e mbi 600 banorëve nga uji i pijshëm.

Protesta u zhvillua para Bashkisë së Krujës, ku qytetarët kërkuan vënien para përgjegjësisë të personave që duhej të mirëmbanin rrjetin dhe që shkaktuan këtë helmim masiv në qytet.

Protestuesit hodhën dyshime edhe mbi investimin e kryer në ujësjellës dhe kërkuan kontrolle mbi abuzimet e bëra.

Ata thanë se tubacioni i përdorur për rrjetin e ujësjellësit në Krujë përbëhet nga tuba nafte të marra në Ballsh apo në minierat e Bulqizës, duke e mbështetur këtë pretendim tek ngjyra e ujit që rrjedh në rubineta.

Javën e kaluar mbi 600 persona, mes të cilëve 150 fëmijë, përfunduan në spitalin lokal me simptoma helmimi. Rastet e para u regjistruan të dielën e kaluar, ndërsa në ditët në vazhdim numri i tyre erdhi në rritje.

Prej një jave Kruja po përballet me një situatë të pazakontë. Uji në rubineta nuk është për konsum, për t’u pirë apo gatim, po thjesht për qëllime sanitare.

Banorët po përballen me ankthin e pasojave të konsumit të ujit të rubinetit në shëndet dhe atij të ambalazhuar në ekonominë e tyre familjare.

Nga analizat e kryera në ujë u konstatua prani e bakterit enterokokus dhe amoniakut, ndërkohë që mbetet e paqartë si u kontaminua uji./TopChannel