Flamuri izraelit.

Protesta në Izrael pas shkarkimit të ministrit të Mbrojtjes

Kanë shpërthyer protesta në Izrael pasi kryeministri Benjamin Netanyahu e shkarkoi të martën mbrëma ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, ka raportuar BBC.

Netanyahu e ka shkarkuar më 05.11.2024 Gallantin, duke theksuar se ka “një krizë besimi” ndërmjet tyre. Lideri izraelit ka thënë se mirëbesimi ishte “gërryer” muajve të fundit.

Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, do ta zëvendësojë Gallantin, ka njoftuar zyra kryeministrore.

Shumë protestues në rrugë i kanë bërë thirrje Netanyahu që të japë dorëheqje dhe të emërohet një ministër i ri i Mbrojtjes që prioritet do ta ketë marrëveshjen për lirimin e pengjeve.

Netanyahu ka thënë se muajve të fundit ka pasur “boshllëqe të mëdha ndërmjet meje dhe Gallantit në mënyrën e menaxhimit të fushatës” së sulmeve dhe aksioneve kundër “Hamasit” dhe luftës së Izraelit kundër “Hezbollahut” në Liban.

“Këto boshllëqe janë shoqëruar me deklarata dhe veprime që vënë në kundërthënie qeverinë dhe vendimet e kabinetit”, ka shtuar ai.

Gallant ka postuar një mesazh të shkurtër në X, duke theksuar se siguria e Izraelit “është dhe do të mbetet gjithnjë misioni i jetës time”.

Ai më vonë ka lëshuar një komunikatë, duke theksuar se shkarkimi i tij lidhej me “rezultatin e mospajtimeve për tri çështje”.

Në lidhje me pengjet, ka shkruar: “Unë vlerësoj se është e mundshme të arrihet qëllimi. Kërkon koncesione të dhimbshme, të cilat mund t’i bëjë shteti i Izraelit dhe IDF-ja mund të dëgjojë”.

Njëri prej atyre që ka protestuar pas vendimit, Yair Amit, ka thënë se Netanyahu po rrezikon mbarë vendin dhe i ka bërë thirrje kryeministrit që “të largohet nga zyra e tij dhe t’i lejojë njerëzit seriozë ta udhëheqin Izraelin”.

Disa protestues kanë djegur goma në autostradën Ayalon dhe kanë bllokuar trafikun në dy drejtimet, raportojnë mediat izraelite.

Një grup i familjeve të personave të marrë peng nga “Hamasi” në sulmin e 7 tetorit 2023, ka dënuar vendimin e Netanyahut për shkarkimin e Gallantit, duke akuzuar kryeministrin se po bllokon përpjekjet për ujdi për lirimin e pengjeve. Forumi i Familjeve të Pengjeve dhe Personave të Zhdukur ka kërkuar që ministri i ri i Mbrojtjes ta ketë prioritet “zotimin për t’i dhënë fund luftës dhe për të bërë një ujdi gjithëpërfshirëse për kthim të menjëhershëm të të gjithë të rrëmbyerve”. Rreth 100 prej bi 250 personave të marrë peng vazhdojnë të mbesin në duar të “Hamasit”.

Katz do të bëhet shef i ri i Mbrojtjes, derisa Gideon Sa’ar do ta marrë timonin e diplomacisë izraelite, ka njoftuar Netanyahu.

Dyshja Netanyahu-Gallant ka pasur raporte të acaruara shpesh. Netanyahu e kishte shkarkuar Gallantin edhe në marsin e vitit të kaluar pas mosmarrëveshjeve për planet kundërthënëse për ta ndryshuar rrënjësisht sistemin e drejtësisë.

Por ishte detyruar ta tërhiqte vendimin për shkarkim pas protestave të mëdha publike në qytetet izraelite. Në maj, Gallant kishte shprehur haptas pakënaqësinë e tij për mungesën e planit për mënyrën e funksionimit të Gazës pas përfundimit të luftës.

Kjo ishte një shenjë e rrallë e ndasive brenda kabinetit izraelit të luftës lidhur me mënyrën e udhëheqjes së fushatës ushtarake.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com