Protesta në Irak, disa të vrarë e të plagosur

Së paku 14 njerëz u vranë dhe mbi 800 u plagosën pasi forcat irakiane të sigurisë hapën zjarr kundër protestuesve në qytetin e shenjtë të Qerbelasë.

Burimet spitalore dhe të sigurisë thanë se dhuna u zhvillua gjatë natës.

Iraku është përfshirë nga vala e dytë e protestave brenda një muaji, kundër qeverisë së kryeministrit Adel Abdul Mahdi, e cila akuzohet për korrupsion.

Protestuesit janë të zemëruar edhe me papunësinë e lartë dhe mungesën e shërbimeve themelore publike.

Së paku 250 njerëz janë vrarë që nga fillimi i protestave në javën e parë të tetorit.

Këto protesta – që janë më vdekjeprurëset prejse grupi militant Shteti Islamik është shpallur i mundur në Irak në vitin 2017 – shihen si sfida e parë e madhe për qeverinë e Mahdit, e cila ka ardhur në pushtet gati një vit më parë.

Kleriku shiit populist, Moqtada al-Sadr, i cili e ndihmoi koalicionin e Mahdit të marrë pushtetin, bëri thirrje të hënën për zgjedhje të parakohshme.

Iraku ka një popullsi prej afro 40 milionë banorësh dhe është prodhuesi dhe eksportuesi i pestë më i madh i naftës në të gjithë botën, por shkalla e varfërisë së përgjithshme vlerësohet të jetë mbi 20 për qind.