Protesta me valixhe e të rinjve në Prishtinë: ‘Kur bohet mirë?’ - Fotogaleri

Në sheshet e Prishtinës, në ditën ndërkombëtare të tyre, të rinjtë e Kosovës kanë protestuar, duke vendosur valixhet, e treguar rrëfimet e tyre se po detyrohen të largohen nga Kosova për një të ardhme më të mirë.

Nën sloganin “Kur bohet mirë?”, nisma u orgnaizuar nga organizata Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR).

Drejtoresha e YIHR-së, Marigona Shabiu tha për KALLXO.com që kanë zgjedhur që në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, si instalacion përformance për të protestuar brengat e rinisë dhe ballafaqimin e ikjes së tyre nga Kosova.

“Slogani ‘Kur bohet mirë’ është një thirrje shprese dhe një thirrje proteste për shkak se kjo duhet të jetë koha e fundit që institucionet duhet të merren më seriozisht me problemet e të rinjëve dhe nevojën pse të rinjët duhet  me e lëshu Kosovën”- tha ajo.

YIHR ka përgatitur disa storie të rinjëve që kanë lëshuar Kosovën dhe në mesin e këtyre të rinjëve ka identitete dhe etni të ndryshme, mirëpo të gjithë për shkak të mungesës së perspektivës në vendin e tyre kanë vendosur të largohen.

12 gushti shënon Ditën Ndërkombëtare të të Rinjve.

Të rinjtë kosovarë nuk e kanë as mundësinë që të udhëtojnë lirshëm nëpër shtete të ndryshme, pasi Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk ka liberalizim të vizave.

Kosova ndonëse ka popullsi të re, të rinjtë e vendit sfidë kryesore e kanë punësimin.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ASK, për tremujorin e parë të vitit 2021, tregojnë se shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 48.6%.

Të dhënat tjera të ASK, tregojnë se gjatë vitit 2021, nga Kosova kanë emigruar 42,728 persona.