
Paris, Francë Foto: Pixabay
Protesta mbarëkombëtare në Francë pas vendimit të Macronit për ta rritur moshën e pensionimit
Punëtorët francezë të zemëruar dhe frustruar me rritjen e moshës së pensionimit nga 62 në 64 vjet, e kanë bllokuar hyrjen në një terminal në aeroportin Roissy-Charles De Gaulle të Parisit të enjten, si pjesë e një dite protestash mbarëkombëtare, duke i detyruar disa udhëtarë të shkojnë atje në këmbë.
Shërbimet e trenave u ndërprenë dhe disa shkolla u mbyllën ndërkohë që mbeturinat grumbulloheshin në rrugë dhe prodhimi i energjisë elektrike u ndërpre pasi sindikatat e ngritën presionin ndaj qeverisë për ta tërhequr ligjin që e vonon daljen në pension me dy vjet shtesë, në 64.
Presidenti Emmanuel Macron ka deklaruar të mërkurën se legjislacioni – të cilin qeveria e tij e shtyu përpara në parlament pa votim javën e kaluar – do të hyjë në fuqi deri në fund të vitit, pavarësisht nga përshkallëzimi i zemërimit të qytetarëve francezë në të gjithë vendin.
Protestat për ndryshimet e politikave, të cilat gjithashtu përshpejtojnë një rritje të planifikuar të numrit të viteve që duhen punuar për të marrë një pension të plotë, kanë tërhequr turma të mëdha në mitingjet e organizuara nga sindikatat që nga janari i këtij viti.
Shumica e protestave kanë qenë paqësore, por zemërimi është rritur që kur qeveria e shtyu përpara projektligjin në parlament pa votim javën e kaluar.
Vala e fundit e protestave përfaqëson sfidën më serioze ndaj autoritetit të presidentit që nga revolta e “Jelek-verdhëve” katër vjet më parë. Sondazhet tregojnë se një shumicë e gjerë e francezëve e kundërshtojnë legjislacionin e pensioneve si dhe vendimin e qeverisë për ta shtyrë përpara atë në parlament pa një procedurë votimi./VOA