“Ne po e marrim natën”, kanë thënë protestueset. Foto: Jeet Snagupta - BBC

Protesta masive pas dhunimit dhe vrasjes së mjekes në Indi

Dhjetëra mija gra në Bengalin Perëndimor kanë marshuar rrugëve në mesnatën ndërmjet të mërkurës dhe të enjtes në shenjë proteste pas dhunimit dhe vrasjes së një mjeke praktikante në një spital shtetëror javën e kaluar në Kalkutë, raporton BBC.

Marshi “Riktheje Natën” ishte kulmi i një jave me zemërim dhe debate që nxitën protesta pas dhunimit dhe vrasjes brutale të një mjeke 31-vjeçare, e cila po kryente praktikën në kolegjin mjekësor RG Kar të premten e javës së kaluar në qytetin e madh të Indisë.

Duke iu përgjigjur thirrjes në mediat sociale, gratë kanë marshuar në këmbë nëpër qytetin e Kalkutës dhe në pjesët tjera të shtetit indus të Bengalit Perëndimor në një natë me reshje shiu.

Megjithëse protestat ishin përgjithësisht paqësor, kishte edhe përleshje ndërmjet policisë dhe një grupi të vogël të burrave të paidentifikuar, që kishin mësyrë spitalin RG Kar, vendi ku kishte ndodhur vrasja e mjekes. Madje u raportua se burrat kishin hyrë në departamentin e urgjencës.

Policia ka përdorur gaz lotsjellës për ta shpërndarë turmën. Janë dëmtuar edhe disa makina policie. Protesta më të vogla janë mbajtur edhe në qytetet tjera induse, si Delhi, Hyderabad, Mumbai dhe Pune.

Në pjesë tjera të qytetit, gratë marshuan paqësisht, duke mbajtur pankarta. Janë ndezur edhe dritat e celularëve, qirinj e pishtarë prej protestueseve. Disa syresh kanë bartur flamuj kombëtarë. U janë bashkuar edhe burra, të rinj e pleq.

Gjatë marsheve dhe tubimeve afër një universiteti, salle teatri dhe stacioni autobusi, ato qëndruan të bashkuara, duke mbajtur dorën e njëra-tjetrës, derisa dëgjoheshin thirrjet e zësshme “duam drejtësi.

Protestat janë mbajtur në prag të ditës së 77-vjetorit të Pavarësisë së Indisë. Në protesta është kënduar spontanisht edhe himni kombëtar, por protestueset kanë marshuar nëpër shi, derisa një pjesë e tyre kanë mbajtur edhe ombrella.

“Ne nuk kemi asnjëherë diçka të ngjashme më parë në qytet, një tubim kaq i madh i grave që marshojnë natën”, ka deklaruar një reporterë e një rrjeti informativ. Ishte në të vërtetë një natë e shprehjes së zemërimit dhe frustrimit.

Një grua, e cila i ishte bashkuar marshit të mesnatës bashkë me të bijën e saj 3-vjeçare, ka thënë: “Le të shohim nëse një protestë masive do t’i vërë gjërat në vendin e duhur. Le të vetëdijesohet edhe ajo për të drejtat e saj”, ka shtuar ajo, duke iu referuar të bijës.

“Gratë nuk gëzojnë respekt!” – ka thënë një tjetër. “Ne vlejmë më pak se lopët dhe dhitë”.

“Kur do të kemi pavarësinë tonë? Edhe sa duhet të presim që të punojmë pa u frikësuar. Edhe 50 vjet? – ka pyetur një studente.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com