Seanca e Kuvendit më 4 qershor 2020, FOTO: Kuvendi i Kosovës

Protesta e deputetëve të LVV-së, Kuvendi ndërpret sërish seancën

Arbërie Nagavci, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, ka ndërprerë punimet e Kuvendit të Kosovës sërish shkaku i protestës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ju lutem për qetësi dhe krijim të kushteve për punë. Nuk mund të vazhdojmë në këto rrethana duke qenë se nuk ka kuorum të mjaftueshëm për të mbajtur mbledhjen e kryesisë dhe për ta diskutuar këtë çështje do të bisedojmë në mbledhjen e radhës së kryesisë së kuvendit dhe ju njoftojmë. I ndërpremë punimet dhe ju njoftojmë pas mbledhjes së kryesisë”, tha ajo.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë protestuar për prezencën e zëvendëskryeministrit të Kosovës Driton Selmanaj.

Ata kanë kërkuar që të largohet nga salla.

Kuvendi në plan kishte këtë rend dite:

  1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
  2.  Pyetjet parlamentare,
  3.  Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,
  4.  Interpelanca me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetit Liburn Aliu, mbështetur edhe nga 6 deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes     ​Vetëvendosje për çështjen: “Përfshirja dhe ndarja e Liqenit të Ujmanit me Serbinë në dokumentin e zotimeve të 4 shtatorit 2020”,
  5.  Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 07/L-029 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-089 për deminim humanitar,
    6.    Shqyrtimi i Raportit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2019,
  6.  Shqyrtimi i Kërkesës së Fondit të Kursimeve Personale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2021,
  7.  Shqyrtimi i Raportit Vjetor të Agjencisë Kundër Korrupsionit  për vitin 2019,
  8.  Shqyrtimi i Raportit Vjetor i Komisionit për Ndihmë Shtetërorë për vitin 2019.