Tabela e fshatit Prapashticë | Foto: KALLXO.com

Protesta e banorëve të Prapashticës për transport, flasin banorët dhe komuna

Banorë të fshatit Prapashticë kanë protestuar sot para komunës së Prishtinës, për shkak të mungesës së transportit publik.

Ata kërkuan nga komuna që të zgjatet linja e autobusëve deri në afërsi të Prapashticës siç ka qenë deri në kohën e paraluftës, linjë kjo që deri në vitin 2014 ishte mbajtur nga operatorë privat.

Haki Aliu, kryetar i Bashkësisë Lokale në fshatin Keqekollë ka thënë për KALLXO.com se arsyeja e kësaj proteste ka qenë kërkesa për zgjatje të linjës 15 të autobusit deri në ‘Qafën e Prapashticës’.

“Arsyeja e kësaj proteste ka qenë që linja 15 e autobusëve që vie deri në fshatin Keqekollë, të zgjatet edhe për 5 kilometra deri në ‘Qafën e Prapashticës’. Kjo linjë prej pasluftës është mbajtur nga operatorë privatë të cilën e ndërprenë në vitin 2014 pasi kërkonin subvencionim”, ka thënë Aliu.

Ai tha se deri para periudhës së luftës linja e autobusit ka shkuar deri në fshatin Mutivodë.

Ali Latifi nga fshati Prapashticë tha se mungesa e transportit po i detyron banorët që t’i braktisin ato fshatra. Ai madje akuzoi komunën se i mashtroi qytetarët se do i heqin autobusët e vjetër dhe do sjellin të rinj.

“Fshatarët pas luftës çdo herë kanë pasur këtë problem jetik, fshatrat Prapashticë, Nishevc, Dabishevc, Hajkobillë, Zajqevc, Gllogovicë dhe për këtë arsye banorët po braktisin këto fshatra. Ndërprerja zyrtare e autobusit është bërë me 01.07.2014, duke i mashtruar qytetarët, se po u’a heqim autobusët e vjetër e po ua sjellim autobusët e ri. Kurse, nga muaji maj 2020, një kombibus privat ka kërkuar subvencione për t’i bartur nxënësit dhe studentët por është refuzuar”, ka thënë Latifi.

Ndërsa, Fiknete Bejta, asambleiste e pavarur në Kuvendin e Komunës së Prishtinës e cila edhe e kishte ngritur këtë temë në mbledhjen e fundit në komunë ka thënë për KALLXO.com se kjo çështje nuk është votuar nga shumica e asamblistëve në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Komunës, por që nuk e ka ndalur të vazhdoj punën.

Ajo tha se kryetari Shpend Ahmeti dhe ekipi i tij tashmë po e trajtojnë këtë problem dhe kanë një plan konkret.

“Kjo pjesë e qytetit nuk ka Transport Urban prej pas luftës, ndërsa para kësaj kohe ka pasur dy linja të rregullta. Në seancën e fundit e kam paraqitur në Kuvend një propozim konkret që kam qenë e bindur që do të zgjidhte problemin e një pjese të fshatrave të asaj ane, mirëpo nuk është votuar nga shumica e asamblistëve për të hyrë në rend dite. Kjo nuk më ka ndalur të vazhdojë punën për të arritur zgjidhjen e këtij problemi. Kryetari i Prishtinës, zoti Ahmeti tashmë është duke e trajtuar këtë çështje me prioritet. Ai përmes Trafikut Urban ka planifikuar të blejë edhe një kontigjent autobusësh dhe me këtë të bëjë shtimin e linjave të reja në Prishtinë duke përfshirë edhe atë pjesë. Pra, për zgjidhjen e këtij problemi është duke u punuar nga kryetari dhe ekipi i tij dhe ka plan konkret”, ka thënë Bejta.

KALLXO.com ka kërkuar detaje edhe drejtoresha e Shërbimeve Publike në Komunë, Medina Braha dhe nënkryetari i komunës, Muhedin Nushi lidhur me planin që ka qeverisja lokale për transportin në zonë, por nuk ka marr ndonjë përgjigje deri në momentin e publikimit.

Trafiku Urban, synon blerjen e 30 autobusëve, në mesin e tyre edhe elektrik