
Foto: KALLXO.com
Propozohet ekspertizë e re në gjykimin e dy mjekëve të akuzuar lidhur me rastin e vdekjes së 7-vjeçares
Në gjykimin e Alban Gjonbalajt dhe Arben Kutllovcit, të akuzuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor lidhur me rastin e vdekjes së një 7-vjeçareje, prokurorja Ardiana Veseli në seancën e 23.12.2024 propozoi ekspertizë të re.
Sipas dosjes së Prokurorisë, të akuzuarit Alban Gjonbalaj dhe Arben Kutllovci gjatë punës së tyre si mjekë, me rastin e dhënies së shërbimeve të kujdesit shëndetësor nuk i kishin zbatuar rregullat e profesionit të kujdesit shëndetësor duke vepruar haptazi në mënyrë të pakujdesshme, duke përdorur mjete apo metoda të papërshtatshme të mjekimit, dhe si rezultat i këtyre veprimeve, kishte ndodhur vdekja e pacientes T.H.
Sot, më 23.12.2024, prokurorja Veseli i propozoi Gjykatës që të caktojë kryerjen e një ekspertize të ekzaminimit toksikologjik lidhur me këtë rast.
“Sa nuk është vonë që të kryhet edhe një ekspertizë e re toksikologjike ” – tha prokurorja Veseli.
E njëjta kërkoi që ajo të sigurohet jashtë vendit.
Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Besnik Beqiri, tha se qëndron pranë propozimit të Prokurorisë pasi i njëjti kishte pasur në plan që të bënte një propozim të tillë dhe i njëjti po ashtu kërkoi që të sigurohet jashtë vendit.
“Edhe ne qëndrojmë prapa propozimit të Prokurorisë” – tha Beqiri.
Ky propozim u aprovua nga gjyqtarja e kësaj çështjeje, Naime Krasniqi Jashanica.
Paraprakisht në seancën e sotme ka dhënë dëshminë e tij eksperti mjekoligjor, Nardi Sheqerxhiu.
Sipas ekspertit Nardi Sheqerxhiu në rastet specifike kur dyshohet për ndonjë tejkalim të dozës atëherë duhet të kërkohen analiza shtesë të mostrave për të verifikuar përqendrimin e një substance të përdorur që ka potencial helmues ose toksik në përqendrime të vogla.
Eksperti gjatë ditës së sotme tha se bazuar në legjislacionin në fuqi Kodi i Procedurës Penale e obligon Institutin e Mjekësisë Ligjore që 5 vite t’i ruajë mostrat biologjike të marra në autopsi përderisa duhet me të jenë në Institutin e Mjekësisë Ligjore duhet të kryhet një analizë e cila do e sqarojë pasi që me këto të dhëna të ofruara nga analiza paraprake nuk mund të jepet asnjë lloj interpretimi.
“Çfarë rekomandime mund të na jepni ju si ekspert për të përmirësuar analizën toksikologjike dhe këtë ekzaminim toksikologjik në rastin konkret?” – e pyeti përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Besnik Beqiri.
“Meqenëse nga shkresat e lëndës kam hasur se të gjitha dilemat janë për përdorimin e fentanilit dhe propoforit gjatë procedurës së ekzaminimit mjekësor në rastin fjalë është MRI atëherë analiza është obligative” – tha eksperti.
Seanca e radhës është shtyrë për afat të pacaktuar.
Të akuzuarit lidhur me akuzat që Prokuroria ua vë në barrë nuk e kishin pranuar fajësinë.
Ky rast po trajtohet nga gjyqtarja Naime Krasniqi-Jashanica, ndërsa prokurore e kësaj çështjeje është Ardiana Veseli.
Lidhur me këtë rast KALLXO.com në vitin 2021 kishte transmetuar emisionin me titull “Misteret e Vdekjeve“, ku kishte trajtuar edhe rastin e 7-vjeçares.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?
Sipas dosjes së Prokurorisë, të akuzuarit Alban Gjonbalaj dhe Arben Kutllovci gjatë punës së tyre si mjekë me rastin e dhënies së shërbimeve të kujdesit shëndetësor nuk i kishin zbatuar rregullat e profesionit të kujdesit shëndetësor duke vepruar haptazi në mënyrë të pakujdesshme, duke përdorur mjete apo metoda të papërshtatshme të mjekimit, dhe si rezultat i këtyre veprimeve, kishte ardhur deri te vdekja e pacientes T.H.
Tutje sipas aktakuzës më 04.08.2020, i pandehuri Arben Kutllovci gjatë trajtimit mjekësor – kryerjes së rezonancës magnetike pacientes T.H. ishte dakorduar me të dëmtuarën – dëshmitaren L.H. që më 04.08.2020 të kryhet rezonanca magnetike për vajzën e saj – pacienten.
Në aktakuzë thuhet se paraprakisht me rastin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore ka pranuar dhe udhëzuar ekzaminimin e “MRI ALL Body”, në kundërshtim më praktikat dhe legjislacionin në fuqi, duke kryer një intervenim të tillë pa qenë i pajisur me udhëzimin për ekzaminim si dhe nuk ka bërë evidentimin e personelit mjekësor dhe dokumentacionit shëndetësor për trajtimin e pacientes.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Alban Gjonbalaj më 04.08.2020, rreth orës 09:15 në ambientet e Klinikës “CT SCANER”, me rastin e ofrimeve shëndetësore, ka vlerësuar në mënyrë jo të drejtë gjendjen e pacientes T.H., duke mos bërë matjen e peshës trupore.
Gjithnjë sipas aktakuzës, ekzaminimi i pacientes është bërë pa udhëzim të mjekut si dhe incizimi i rezonancës magnetike të tërë trupit të pacientes është bërë pa prezencën e mjekut specialist të radiologjisë, por në prezencë të Muhamet Berishës – teknik i radiologjisë pa licencë valide të punës.
Në aktakuzë thuhet se si pasojë e mostrajtimit të veçorive individuale të organizimit apo të ndjeshmërisë në barnat e përdorura, i pandehuri Alban Gjonbalaj ia ka dhënë dozën e parë të anestezionit pacientes ndërsa pas 10 -15 minutash të njëjtës i është dhënë edhe doza e dytë e anestezionit, dhe pas kësaj i është përkeqësuar gjendja shëndetësore dhe përkundër ndihmës së parë dhe dërgimit në urgjencë në QKUK, pacientja pas dy orësh kishte ndërruar jetë.
Dosja e Prokurorisë përshkruan se nga raporti i autopsisë i datës 05.08.2020 vërtetohet se tani të ndjerës T.H. i është përkeqësuar gjendja gjatë procedurës së MRI nën anestezion të përgjithshëm dhe se është e mundur që substancat anestetike të përdorura gjatë anestezionit -MRI-së, të kenë qenë shkëndija që kanë iniciuar këtë zinxhir kompleks që ka ndërhyrë në mekanizmin e vdekjes.
Më këtë kanë kryer secili veç e veç veprën penale – trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor.