Foto: KALLXO.com

Propozohet dalja në vendngjarje në rastin e shpërthimit në Zhur nga i cili u vra një e u plagosën dy policë

Emira Gavazaj-Gashi, mbrojtëse e të akuzuarit Iran Badalli, ka propozuar që të dilet në vendngjarje dhe të bëhet rikonstruimi në vendin ku ka ndodhur shpërthimi me eksploziv në Zhur.

Një polic i Kosovës ka mbetur i vdekur dhe dy të tjerë janë plagosur në incidentin që ka ndodhur në janar të vitit 2020 në fshatin Zhur të Prizrenit, kur po kryhej një bastisje.

Në shtëpinë e tashmë të akuzuarit Iran Badalli pas një thirrjeje për dhunë në familje njësitet policore hasën në një eksploziv, nga shpërthimi i të cilit u vra polici Sami Thaçi.

Të martën, mbrojtësja Emira Gavazaj-Gashi ka propozuar që të dilet në vendngjarje dhe të bëhet rikonstruimi i vendit ku ka ndodhur shpërthimi.

“Ne dyshojmë se ka pasur lëvizje në dhomën ku ka ndodhur shpërthimi, dyshojmë se ka pasur lëvizje të vendit të ngjarjes, lëvizje të provave që janë fotografuar në krahasim me numrin e raportit. Po ashtu dëshmitë e personave që kanë qenë në vendin e ngjarjes, këtu të dëmtuarit vende-vende janë në mospërputhje me njëra-tjetrën”-ka thënë mbrojtësja.

Gavazaj-Gashi gjithashtu ka propozuar që të dëgjohen si dëshmitarë edhe rreshteri Fehmi Aliu, zyrtar i cili ka bërë fotografimin e vendit të ngjarjes në shtëpinë e të akuzuarit.

Por këto propozime hasën në kundërshtime të prokurorit dhe përfaqësuesve të palëve të dëmtuara.

Prokurori Metush Biraj ka thënë se shikimi dhe fotografimi në vendngjarje është kryer me kujdes.

“Jam i fascinuar deri në shkallë të admirimit për energjinë vullkanike të mbrojtëses të të akuzuarit Iran Badalli, por i bëj të qartë të njëjtës se në bazë të provave që kemi në dispozicion është ngritur aktakuza kundër të akuzuarve për çka edhe po zhvillohet ky gjykim” – deklaroi prokurori Biraj.

E për Besnik Berishën, mbrojtës i të dëmtuarit Artur Mrasori, një propozim i tillë u konsiderua i palogjikshëm.

“Të kërkosh të bësh rikonstruim në vendin ku ka ndodhur një eksplodim ku ka marrë jetë njerëzish është të jesh pa koment.  Të kërkosh të shikosh vendin për të krijuar përshtypje se çka ka ndodhur për mua është arsyetim pa arsye e logjikë”- tha mes tjerash avokati Berisha.

Besnik Berisha tutje ka arsyetuar se një propozim i tillë po ashtu nënkuptonte zvarritje të procedurës.

Këtë mendim e përkrahu edhe Blerim Mazreku, përfaqësues i të dëmtuarës Merita Qunaj, i cili konsideroi se po zvarritet procedura.

Paraprakisht, në këtë seancë avokatja e të akuzuarit, Emira Gavazaj-Gashi, ka paraqitur kundërshtime lidhur me ekspertizën daktiloskopike të dorëzuar nga Prokuroria.

Gavazaj-Gashi ka thënë se ekspertiza është bërë në fund të vitit 2020 ndërkaq kjo është dorëzuar vetëm tani pothuajse në përfundim të çështjes.

“Kundërshtojë ekspertizën e cila ka ardhur pothuajse në përfundim të çështjes gjyqësore, kemi një arsyetim se aktvendimi qenka bërë në vitin 2020. Unë në shkresat e lëndës asnjëherë nuk e kam pasur dhe se ky aktvendim nuk është zbatuar nga AKF pothuajse 2 vite e gjysmë” – u shpreh avokatja.

Avokatja Gavazaj-Gashi ka shtuar se kjo dëshmon se aktakuza e prokurorit është ngritur në supozime dhe jo prova, dhe forma e paraqitjes së ekspertizës  lë për të dëshiruar se si janë kryer hetimet.

Në lidhje me propozimet e dëshmitarëve dhe daljen-rikonstruimin në vendngjarje Gjykata e Prizrenit do të vendosë ditëve në vijim.

Seancat e radhës u caktuan për më 21 dhjetor 2022 dhe 13 dhe 19 janar 2023.

Sipas Prokurorisë, Iran Badalli dhe Arben Gashi, në fillim të muajit janar 2020, në Prizren, janë furnizuar nga Valbon Çollaku me mjete eksplozive dhe të njëjtin mjet e kanë fshehur në shtëpinë e Iran Badallit.

Aktakuza thotë se pas kontrollit të shtëpisë nga Njësiti për Trafikimin me Narkotikë, mjeti ka eksploduar dhe si pasojë ka vdekur zyrtari policor Sami Thaçi, ndërsa dy zyrtarë të tjerë policorë ishin lënduar rëndë.

Në aktakuzë thuhet se edhe fëmija i të akuzuarit Iran Badalli kishte pësuar lëndime të rënda trupore.

Sipas aktakuzës, Badalli dhe Gashi akuzohen se kanë mbajtur edhe eksploziv “TNT” në peshë prej 809.1 gramësh dhe një detonator mekanik në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës në gjatësi 63 centimetra.

Ndërsa, i akuzuari Valbon Çollaku ishte akuzuar se ka importuar, prodhuar ose shitur armë apo material plasës dhe të njëjtat të akuzuarve Iran Badallit dhe Arben Gashit ua kishte shitur për 400 euro.

Çollaku kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë, pasi që paraprakisht i njëjti ishte shpallur edhe dëshmitar bashkëpunues për zbardhjen e ngjarjes.

Gjykata në Prizren të akuzuarit Valbon Çollaku i kishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 1,000 euro dhe dënim me kusht në kohëzgjatje prej 6 muajve, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër të re penale brenda 2 vitesh.

Ndërkaq, gjykimi po vazhdon vetëm ndaj dy të akuzuarve, Iran Badallit dhe Arben Gashit, të cilët nga Prokuroria po akuzohen për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, i cili ka rezultuar me vdekjen e një personi dhe armëmbajtje pa leje.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com për këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.