Foto: KALLXO.com

Propozohen prova dhe dëshmitarë të rinj në gjykimin për vrasjen për 20 euro borxh

Gjykimi ku Sylejman Ahmeti po akuzohet se në mënyrë mizore ka privuar nga jeta Shaip Krasniqin shkaku i një mosmarrëveshjeje për një borxh prej 20 eurove që i ndjeri ia kishte vëllait të të akuzuarit, ka vazhduar me propozimin e provave dhe dëshmitarëve të rinj.

Në seancën e sotme nga ana e Prokurorisë janë sjellë si prova disa CD në të cilat përshkruhen veprimet e të ndjerit dhe të akuzuarit Sylejman Ahmeti lidhur me natën kritike.

Po ashtu, prokurori Metush Biraj Gjykatës ia ka parashtruar edhe CD në të cilat përfshihen incizime nga telefoni i të akuzuarit.

Prokurori i çështjes tutje në gjykim propozoi që në seancën e radhës të dëgjohet si dëshmitar Nderim Aliaj, i cili kishte qenë edhe dëshmitar okular i rastit.

Pas kësaj, propozime pati edhe nga ana e Nazmi Mustafit, mbrojtësi i të akuzuarit Sylejman Ahmeti. Ai Gjykatës i propozoi që në seancën e radhës të thirren edhe dy dëshmitarë të tjerë, ndërkaq shtoi se si provë të administrohet edhe biseda e realizuar në “Facebook” mes të ndjerit dhe vëllait të të akuzuarit.

Këto propozime të bëra nga ana e mbrojtësit të të akuzuarit, trupi gjykues i refuzoi, ndërkaq seanca e radhës u caktua për më 25 janar 2022.

Sipas Prokurorisë, në orët e vona të mbrëmjes, më 26 janar 2020, në një kafiteri të fshatit Maqitevë të Suharekës, pas mosmarrëveshjeve lidhur me një borxh prej 20 eurove që ia kishte tani i ndjeri vëllait të të akuzuarit, Sylejman Ahmeti privon nga jeta Shaip Krasniqin.

Tutje thuhet se fillimisht i ndjeri i thotë të akuzuarit: “A e di kë e keni sha ju, pa ta q* n* nuk e la, në qoftë se je burrë çu dil jashtë”, dhe nga aty i ndjeri del jashtë në oborr, dhe i kërkon falje pronarit të lokalit për gjestin e bërë, ndërsa i akuzuari me shpejtësi ngrihet nga tavolina dhe nga dera tjetër e lokalit del jashtë.

Aktakuza tutje sqaron se i akuzuari Sylejman Ahmeti shkon te kamioneta e tij dhe nga aty merr pushkën automatike “AK-47” dhe në prezencë të dëshmitarit Liman Aliu dhe mysafirëve të tjerë në oborrin e lokalit, në një distancë të shkurtër shkrep në drejtim të Shaip Krasniqit, i cili qëndronte i ndalur me një bisht të sëpatës në dorë dhe e godet fillimisht në fytyrë, i cili rrëzohet në tokë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa ishte i rrëzuar, i akuzuari e godet edhe disa herë duke i thënë: “çu t’i q**** shtatë mijë n***, Allahu ta marroftë xhenazen”, e godet edhe disa herë me ç’rast i shkakton tetë plagë të cilat qenë vdekjeprurëse për të.

Me këto veprime, Sylejman Ahmeti akuzohet se ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.