Propozimi për Ditën Memoriale të Egjiptianëve, merr miratimin e Komisionit, do votohet në Kuvend

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka miratua në parim propozimin e deputetit, Fridon Lala për përfshirjen e 24 qershorit, si Ditë Memoriale të Egjiptianëve në Ligjin për Festat Zyrtare të Kosovës.

Lala, gjatë mbledhjes tha se komuniteti që ai përfaqëson është i vetmi në Kosovës pa një ditë feste.

“Unë kërkoj që njëjtë sikur të gjitha komuniteteve tjera, edhe komunitetit egjiptian, t’i njihet dita për të festuar. Komuniteti egjiptian ka mbetur pa festë. 24 qershori është dita që përfaqëson luftën e këtij komuniteti për mbrojtje të identitetit”, tha ai.

Besnik Tahiri, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës shprehu shqetësimin se një nismë e tillë mund të përdorët për qëllime politike si dhe pa votat e deputetëve të Listës Serbe, votimi do të dështoj.

“Nëse nuk e keni kry punën me Listën Serbe, do ta sosni një plumb që e keni”, tha Tahiri.

Por kësaj iu kundërpërgjigj, deputeti Fridon Lala i cili mohoi një gjë të tillë.

“Nuk ka aspak politikë, parimisht e kemi diskutuar me Listën Serbe. Ata kanë qenë në rregull me votimin. Në këtë fazë, ata kanë shprehur gatishmërinë që të votojnë”, tha Lala.

Ndërkaq, Mërgim Lushtaku deputet i Partisë Demokratike të Kosovës tha se Ligji për Festat Zyrtare duhet të ndryshohet edhe në pika të tjera.

“I kam të njëjtat shqetësime edhe unë për ditët e tjera të festave. Kemi festa që askund nuk festohen ndërsa tek ne po, ose bie dita e festës në të dielën, e ne festojmë të hënën. Kjo nuk është në rregull. Duhet të gjitha grupet parlamentare, të gjejmë një gjuhë të përbashkët që të ndryshojmë edhe në pika të tjera këtë ligj”, tha Lushtaku.

Ndërkaq deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Haziri tha se miratimi i këtij propozimi është i domosdoshëm dhe u shpreh i gatshëm për votimin e tij.

Kryetarja e Komisionit, Doarsa Kica – Xhelili konstatoi se me të gjitha votat pro të anëtarëve të pranishëm në mbledhje, është miratuar propozimi, që sipas procedurave duhet të votohet në Kuvend dhe nevojitën 2/3 e shumicës së deputeteve por edhe të minoriteteve.