Propozimi i Kurtit për pensionet e veteranëve, flet Faton Klinaku nga OVL e UÇK-së

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë për KALLXO.com, se do ta shqyrtojnë ditëve në vijim propozimin e ri të kryeministrit Albin Kurti, për pensionet e veteranëve.

Sot u bë e ditur se Kurti iu ka dërguar me shkrim propozimin OVL UÇK-së, që bashkarisht të hartojnë një ligj të ri.

Në lidhje me këtë, Klinaku tha se “oferta” e Kurtit do të shqyrtohet ditëve në vazhdim, duke thënë se kryeministrit iu desht një muaj për ta dërguar propozimin.

“Po e kemi pranuar dje propozimin e kryeministrit. Atij iu deshtën 1 muaj për me dërgu, e tash ne do të takohemi dhe do ta shqyrtojmë propozimin e ri. Pasi të vendosim, do të dalim me njoftim”, ka thënë shkurtimisht Klinaku, duke bërë të ditur se propozimi me shkrim iu ka shkuar dje pasdite.

Ky propozim i Kurtit për ligj të ri, gjithashtu do të nis një proces të vlerësimit dhe verifikimit të të gjithë pjesëmarrësve të luftës çlirimitare.

“Hartimi i ligjit dhe procesi i verifikimit të kryhet në një kohë sa më të shpejtë. Ndërkohë, derisa të përfundojë ky proces, si mbështetje shtesë, kryeministri Kurti propozon përkrahje në punësimin e veteranëve përmes masave aktive të tregut të punës, duke subvencionuar një pjesë të pagës për një periudhë të caktuar”, ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu për KALLXO.com.

Kryeziu ka thënë se me këtë besojnë se do të ketë një listë përfundimtare dhe të saktë të veteranëve, sipas tij, duke i bërë nder luftës dhe sakrificës së popull, duke iu mundësuar një trajtim të dinjitetshëm të gjithë atyre që kanë kontribuar.

Po ashtu, Kryeziu ka njoftuar se alternativë tjetër ndaj këtij propozimi të kryeministrit Kurti, mbetet zbatimi i ligjit në fuqi për kategorizim të veteranëve.

“..i cili në momentin e miratimit, nga çfarë kemi kuptuar në takimin e qershorit, ka pasur edhe mbështetjen e OLV të UÇK-së. Të dy alternativat do të zhvilloheshin veçmas dhe pa e penguar apo ndikuar procesin gjyqësor në zhvillim e sipër”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu, për KALLXO.com.

Kujtojmë që në muajin qershor ishin organizuar dy protesta nga veteranët e OVL UÇK-së para Kuvendit të Kosovës, të cilët kërkonin që të përfshihen në Ligjin për Paga.

Më pas, me 17 qershor, kryeministri Albin Kurti i kishte pritur në takim përfaqësuesit e veteranëve. Takimi, megjithëse nuk kishte prodhuar një ‘pajtim’ mes palëve, ishin dakorduar që kryeministri të iu dërgojë një propozim me shkrim, që të zgjidhet kjo çështje.

Përfundon takimi më shumë se 2-orësh i udhëheqësve të OVL UÇK-së me Kurtin