Pronat e paluajtshme të Haradinajt kalojnë vlerën e 1 milion eurove

Vetëm pronat e paluajtshme e Ramush Haradinajt, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, që i ka në pronësi të vetën, ose në bashkëpronësi, e kalojnë vlerën e 1 milion eurove.

Agjencia Kundër Korrupsionit ka filluar sot publikimin e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve publik në vend.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka deklaruar se ka në pronësi të vetën një shtëpi banimi prej 950 m2 katrorë, e cila sipas tij, vlerën në ndërtim e ka pasur 300 mijë euro, e cila është ndërtuar me mjete vetanake, në periudhën 2001-2002. Këtë shtëpi e ka lëshuar me qera.

Tutje, Haradinaj ka deklaruar në pronësi të përbashkët një shtëpi familjare – Kullë, prej 800 m2 katrorë, që ka vlerën e 270 mijë eurove. Sipas deklarimit, e ndërtuar në përiudhën 2005-2007, me mejte të përfituara nga shitja e pronave të mëhershme.

Ramush Haradinaj ka deklaruar se ka në pronësi të përbashkët një tokë kodrinore, prej 200 hektarëve, që e ka blerë në privatizim në vitin 2009, në vlerë prej 75 mijë euro.

Tutje, kreu i AAK-së ka deklaruar një tokë – truall në pronësi të vetën, prej 27 mijë e 300 euro, në sipërfaqe prej 21.50 ari që e ka blerë në vitin 2005. Në lidhje me këtë, Haradinaj ka thënë se ka pasur transformim.

“Prona i është dhënë me kontratë për bashkëinvestim firmës ndërtimore ‘HCC’. Derisa të përfundojë projekti dhe dokumentacioni zyrtar, në periudhën e deklarimit mbetem pronar i pronës, kurse me kontratën e arritur në prill 2021, si bashkë-investitor, jam pronar i 37%m2 e hapësirave që do të ndërtohen”, ka deklaruar Haradinaj.

Sipas tij, në nëntor 2019 ka themeluar këtë firmë ‘HCC’ në bashkëpronësi me bashkëshorten e tij.

Haradinaj po ashtu ka deklaruar se ka në pronësi të vetën një shtëpi banimi prej 500m2, që sipas deklarimit në ndërtim e ka pasur vlerën prej 202 mijë euro. Ai ka deklaruar se e ka blerë në vitin 2016 me kredi.

Më tutje, Haradinaj e ka të deklaruar në pronësi të vetën po ashtu edhe një banesë në sipërfaqe 213 m2, që në ndërtim sipas tij e ka pasur vlerën 70 mijë euro, në gusht 2017. Këtë banesë Haradinaj ka thënë se e ka të paguar pjesërisht.

Ndërsa në pronësi të përbashkët, Haradinaj e ka të deklaruar edhe një villë prej 405 m2, në vlerë prej 120 mijë euro, që sipas tij, e ka blerë me mjete familjare.

Në total, vlera e pronave të paluajtshme të Haradinajt që i ka në pronësi të vetën dhe në bashkëpronësi, e kapin vlerën prej 1 milionë e 64 mijë e 300 euro.

Ramush Haradinaj ka deklaruar se në emër të bashkëshortes e ka një veturë që e ka vlerën prej 8 mijë euro, të blerë në vitin 2013.

Ish kryeministri Haradinaj ka deklaruar se bashkë me bashkëshorten e tij kanë aksione në një firmë private, secili nga 50%. Emri i firmës është ‘HCC’.

Ndërsa në emër të bashkëshortes së tij, ka deklaruar se ajo ka aksione 100% në një tjetër firmë private, me emrin ‘Mamo Sh.P.K.’

Sa i përket parave të gatshme të mbajtur në banka, Haradinaj në emër të tij ka deklaruar se deri më 31 dhjetor 2021, ka pasur 24 mijë e 327 euro para të gatshme. Ndërsa bashkëshortja e tij, në momentin e deklarimit i ka pasur në bankë 8 mijë e 931 euro para të gatshme.

Në lidhje me detyrimet financiare, kreu i AAK-së ka deklaruar se ka një kredi prej 111 mijë e 850 eurove, në kohëzgjatje prej 180 muaj për përiudhën 2016-2031. Qëllimi i kësaj kredie, sipas deklarimit, është për blerjen e shtëpisë.

Haradinaj ka deklaruar se ka obligim tatimor – TVSH nga qeraja e shtëpisë, prej 720 euro në muaj, për 11 muaj të një viti kalendarik.

Ndërsa gjithashtu ka deklaruar se ka një detyrim financiar prej 20 mijë eurove, që për qëllim ka pasur banesën.

Sa i përket të hyrave, Ramush Haradinaj ka deklaruar se merr 3 mijë e 389 euro në muaj nga qeraja, si dhe një pension invalidor prej 225 eurove në muaj.

Ai merr pagë edhe si deputet i Kuvendit, që ka deklaruar se nga prilli deri në dhjetor 2021 ka marrë 14 mijë e 305 euro. Ndërsa nga Zyra e Kryeministrit, si ish kryeministër ka marrë pagë në periudhën janar – mars 2021, në shumën prej 2 mijë e 657 euro.