Pronari i 'Plus Market'-it, Sylejman Neziri reagon pas vendimit të Apelit për importin e Coca-Cola-s

Pronari i “Plus Market”, Sylejman Neziri, ka reaguar ashpër ndaj një vendimi që Gjykata e Apelit mori më 22 janar të këtij viti.

Gjykata e Apelit kishte vërtetuar vendimin e Gjykatës së Prishtinës sipas të cilit i ishte ndaluar kompanisë ‘Frutin Company’ të importonte pijet “Coca-Cola”, ‘Fanta’ dhe ‘Sprite’, pa marrë autorizimin përkatës dhe deri në një vendimin përfundimtar të gjykatës.

Gjithashtu, në vendimin e Gjykatës së Apelit, urdhërohet që Inspektorati për mbikëqyrjen e tregut të konfiskojë dhe të largojë nga tregu i Kosovës të gjitha produktet e ‘Coca-Cola Company’, të cilat janë importuar nga kompania ‘Frutin’.

Por, këtë vendim e ka kundërshtuar pronari i “Plus Market”.

“Gjykata e Republikës së Kosovës ia ka dhënë të drejtën një kompanie shqiptare, që nuk e di kush është, të na imponoj neve ta sjellim Coca-Cola-n vetëm prej Serbisë, armikut shekullor”, ka thënë Neziri të hënën para gazetarëve.

“Nuk e di pse ata shqiptarë, pse e përkrahin aq shumë produktin serb. Ne nëse nuk e përkrahim prodhimin vendor edhe vetveten kjo rini do ta lëshoj këtë Kosovë. Nuk është e drejtë që produkti i coca-colës rri që dy muaj këtu, iu bëjë apel gjykatësve të Kosovës, ata që e kanë marrë këtë vendim se po t’i kishte dy gram gjak shqiptari, kurrë këtë vendim se kish marrë”, deklaroi ai.

Ai ka pasur një lutje për institucionet e vendit ndërsa ka treguar edhe sa ka qenë qarkullimi në biznesin e tij ku shiten vetëm prodhimet vendore dhe ato të Shqipërisë.

“Unë e lus qeverinë e Kosovës që të jem i lirë dhe të punoj i lirë në këtë vend, mua nuk po më lënë të punoj i lirë. Kjo nuk është e parë që ballafaqohem me këto probleme, në Plus Market e dinë të gjihë çfarë shes, 55 milionë qarkullim kam bë vetëm me produkte të Shqipërisë dhe Kosovës”, thotë Neziri.

“Sikur të gjithë të vepronit kështu, ndryshe do t’i kishim punët”, deklaron ai.

Gjykata ia ndalon një kompanie në Kosovë të importojë pijet ‘Coca-Cola’, ‘Fanta’ dhe ‘Sprite’ pa autorizim

www.kallxo.com