Pronari i Mullirit të Gjikokajve akuzon QRTK-në në Pejë për “shkatërrim të monumentit” - VIDEO
Pronari i Mullirit të Gjikokajve, Sahit Gjikokaj pretendon që Ministria e Kultures, Rinisë dhe Sportit (MKRS), gjatë intervenimeve në këtë objekt, kanë humbur vlerat e këtij monumenti kulturor.
Ai thotë se Mulliri i Gjikokajve është bërë aset i Trashegimisë Kulturore dhe janë bërë rinovime në të pa pëlqimin e tij si pronar i këtij mulliri.
“Mulliri është pronë e jemja. Tash para sa vitesh e kanë marrë monumenti i Kultures gjoja se me rinovu. Ata nuk e kanë rinovuar, ata veq e kanë shkatërruar”- tha Sahit Gjikokaj.
Gjatë intervenimeve të MKRS-së, në Mullirin e Gjikokajve, sipas pronarit disa nga objektet që kanë qënë brenda monumentit, i kanë lënë mbrapa mullirit e disa nuk gjenden fare.
“Një gur i mullirit ka qënë atje, tjetri u kan këtu, ata koshat e drithërit që e kanë shti drithërin vetëm e kanë hek prej këtu e kanë gjujt mbrapa mullirit..” – u shpreh ai
Sahit Gjikokaj pretendon që të gjitha këto ndryshime që ka bërë MKRS në këtë monument janë bërë pa pëlqimin e tij si pronar i monumentit.
“Asnjë njeri nuk e beson se këtu ka qënë mulli s’mundet me besu se ata njerëz që e kanë marrë këtë vendim pa pëlqimin tem pa më pyet pa kurgjo ata u kanë dasht me i lanë brenda objektit çka ka pas mulliri.” – tha Gjikokaj.
Drejtoresha e Qendrës Rajonale për Trashegimi Kulturore në Pejë, Shpresa Gjon Balaj, për KALLXO.com ka thënë se lidhur me pretendimin për ndonjë shkatërrim në Mullirin e Gjikokajve, një gjë e tillë nuk qendron.
“Restaurimi (intervenim emergjent) sipas ekspertëve të trashëgimisë kulturore, është bërë konform projektit të hartuar nga arkitektët e trashëgimisë kulturore, si dhe paramasës dhe parallogarisë së kontraktuar. Gjithashtu referuar organit mbikqyrës të punimeve, vërtetohet se i gjithë mekanizmi lëvizës i Mullirit, për shkak të restaurimit të asetit, është dashtë të zhvendoset nga ndërtesa në oborr të monumentit” – tha Gjonbalaj
Ndërsa, sa i përket pretendimit të pronarit që QRTK-ja ka intervenuar në Mullirin e Gjikokajve pa pëlqimin e pronarit, Drejtoresha e QRTK-së, ka thënë për KALLXO.com se intervenimet në këtë monument janë bërë me referencën e një familjari të tij, mëqënëse pronari ka qënë jashtë Kosoves.
“Mulliri i Gjikokajve është inventarizuar me datë 09.11.2002 nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Departamenti i Kulturës, Njësia e Trashëgimisë Kulturore. Referencë për historinë e ndërtesës/Mullirit, është Deklarata e Z. Kamer Gjikokaj (familjar i pronarit), pasi që pronari në atë kohë ishte jashtë vendit, siç veprohet edhe në raste të tjera. Si rrjedhojë Mulliri është regjistruar në regjistrin e Databazës se Departamentit të Trashëgimisë Kulturore me 30.11.2009. Kjo tregon se që nga fillimi, ka ekzistuar gatishmëria nga familja Gjikokaj që Mulliri Gjikokaj të ketë status ligjor të mbrojtur.” – u shpreh ajo.
Drejtoresha theksoi se gjithashtu para fillimit të intervenimeve në Mullirin e Gjikokajve, në mungesë të pronarit aktual, ata kanë mbajtur takime me të afërmit e pronarit për fillimin e intervenimeve.
“Vlen theksuar se familjarët e pronarit në vazhdimësi kanë monitoruar zhvillimin e punimeve, meqenëse jetojnë dhe veprojnë në afërsi të Mullirit.” – tha ajo
KALLXO.com gjithashtu ka kontaktuar edhe me Kamer Gjikokaj (familjar i Sahit Gjikokaj) por ai e ka mohuar që ka deklaruar vlerat historike të Mullirit të Gjikokajve. Mirëpo dokumentet e siguruara nga QRTK e vërtetojnë të kundertën.
Mulliri i Gjikokajve. i cili shtrihet në Zonën Kadastrale Deçan, është inventarizuar me datë 09.11.2002 nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Departamenti i Kulturës, Njësia e Trashëgimisë Kulturore,
Me 30.11.2009, Mulliri i Gjikokajve është regjistruar në regjistrin Databazës së Departamentit të Trashëgimisë Kulturore me 30.11.2009.
Ndërsa që nga tetori i vitit 2012, në Listën e Trashëgimisë Kulturore të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, çdo vit radhazi, evidentohet si monument i trashëgimisë kulturore arkitekturore në mbrojtje të përkohshme.
QRTK-Pejë, duke pas parasysh shkallën e lartë të rrezikshmërisë të monumentit Mulliri i Gjikokajve, për shkak të gjendjes së tij tejet të rënduar, ka bërë hartimin e projektit, dhe me 14.09.2021 kanë filluar rinovimet e këtij monumenti.
Me 03.08.2023, MKRS, ka njoftuar për përfundimet e rinovimeve të Mullirit të Gjikokajve.
Ky mulli është ndërtim tipik bujqësor që i takon shek. XVIII-të dhe është pronë e familjes Gjikokaj.