Ilustrim

Pronari i Eurogomës ankohet se inspektorët ia mbyllën lokalin pa asnjë arsyetim

Inspektorët komunalë të Mitrovicës tashmë e një javë kanë mbyllur lokalin e kompanisë “Eurogoma” në hyrje të kësaj komune, por drejtori i kompanisë ankohet se mbyllja e lokalit është bërë pa asnjë arsyetim, pasi që me vendim të Ministrisë së Tregtisë kjo veprimtari lejohet të punojë.

Drejtori i Eurogoma-s, Ismet Rexhepi, në një prononcim për KALLXO.com ka deklaruar se nuk janë të informuar për çfarë arsyeje është mbyllur lokali, pasi që procesverbali ka mbetur brenda në lokal dhe që, sipas tij, inspektorët nuk u kanë lejuar që ta hapin.

“Më 8 prill, inspektorët komunalë kanë ardhur për më na e mbyllë pikën që e kemi në hyrje të Mitrovicës. Atë moment, punëtorët që janë e kanë mbyllë. Por, nuk kemi pranuar asnjë dokument për të ditur se për çfarë arsyeje vetëm se po zbatojnë “urdhër nga kryetari” edhe e kemi hapë prapë. Inspektori për herën e dytë kur i kemi kërkuar vërtetimin, u nervozu e ka thirrë policinë e ka shkruar një procesverbal që nuk e dimë as çka ka shkruar edhe ka urdhër me mbyllë. Një kopje të procesverbalit e kanë lanë brenda në lokal”, rrëfen drejtori i EUROGOMA-s.

Ai deklaron se kanë bërë kërkesë që të paktën të hyjnë të marrin pajisjet në mënyrë që t’i shfrytëzojnë në ndonjë nga pikat tjera, por nuk kanë marrë përgjigje.

“Qe dy tre ditë kemi bërë kërkesë në inspektorat që të paktën të hyjmë të i marrim pajiset në mënyrë që ato shërbime të i kryejmë në ndonjë servis tjetër e mos të mbetet malli i bllokuar atje. Por s’kemi marrë asnjë përgjigje. Punëtorët kanë kërku që me marrë procesverbalin e ju kanë thanë qe kjo konsiderohet si vepër penale me hap derën”, tregon ai.

Në anën tjetër, drejtori i Inspektoratit të Mitrovicës, Hysni Ahmeti thotë se lokali është mbyllur pasi që nuk është bërë dezinfektimi i objektit dhe masat tjera mbrojtëse ndaj COVID-19.

“E kemi mbyllë lokalin për shkak se nuk e kanë bërë dezinfektimin e objektit, nuk i kanë pas punëtorët as maskat as dorëzat dhe as nuk e kanë mbajtë distancën sipas rekomandimeve të Ministrisë. I kemi thanë që kur do që jeni të gatshëm më bo dezinfektimin e objektit, ne jemi të gatshëm me e hapë edhe me vazhdu ata më punë”, tha ai për KALLXO.com

“Ata kanë pasur më bë dezinfektimin e objektit që nga 13 marsi dhe nuk e kanë kry atë punë. Por, jo vetëm këtu, po nga informatat që posedojë komplet Eurogoma cka i ka pikat në krejt vendin nuk e kanë bë dezinfektimin e objekteve të tyre. Është bërë procesverbali është i nënshkruar prej menaxherit të pikës, lënda është e dërguar në Gjykatë dhe ata e kanë marrë një kopje”, shtoi Ahmeti.

Ndërkaq të gjitha këto i kanë mohuar nga kompania “Eurogoma” pasi që thonë se as nuk janë pyetur nëse kanë kryer këto shërbime, dhe që kanë patur të kontraktuar edhe një kompani për dezinfektim.

“90 për qind e pikave tona janë të dezinfektuar edhe në ditën që u mbyllë kemi thirrë kompaninë “EKO”, por inspektorati ka qenë i interesuar veç me e mbyllë. Na po kërkojmë që me hy lokal me pas qasje në atë procesverbal sepse kemi të drejtë më ditë edhe me i kontastu ato”, tha drejtori Rexhepi për KALLXO.com.

Ai ka shtuar se të gjitha pikat e tjera në Kosovë janë të hapura dhe nuk kanë pasur probleme me inspektorët.