Ministria e Financave

Pronarët e dy bizneseve në Ferizaj e marrin pagën stimuluese para punëtorëve të tyre

Pak javë pasi vendin e kaploi pandemia e COVID-19, ish qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti iu ‘përvesh punës’  për të ndihmuar disa kategori në vend, për shkak të kufizimeve të lëvizjeve dhe mbylljes pothujse të gjitha bizneseve në vend, të ardhurat e qytetarëve filluan të pakësoheshin.

Në mënyrë që qytetarëve të u lehtësohet barra për të siguruar sado pak të ardhura Ministria e Financave dhe Transfereve propozoi që të krijohet Pako Emergjente.

Qëllimi i kësaj pakoje ishte të përfitojnë skema sociale, bizneset private si kafenet, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, skema mjekësore, Policia dhe zjarrfikësit, marketet, furrat, barnatoret, kompanitë vetëprodhuese, komunat, komunat me pakicë, bujqësia, sporti dhe kultura.

180 milionë euro u ndanë për këtë pako, Qeveria synonte që këtë shumë të mbulonte duke marrë kredi.

Kategoritë që tashmë mund të ishin pjesë e kësaj pakoje, filluan të plotësonin kriteret për aplikacionin që Ministria e Financave pati kërkuar.

Për këtë pako aplikuan edhe katër punëtorët e restaurant “Veranda” në Ferizaj.

Të njëjtit nuk arritën të marrin nga kjo pagë stimuluese shumën prej 170 euro siç u takonte sipas masave të pakos, edhe pse do të duhej të merrnin edhe pagën e dytë, sipas asaj që thuhej në fillim të krijimit të kësaj pakoje.

Pronari i këtij restaurant, Besim Rexhepi, thotë se e ka dërguar listën e punëtorëve por se ende nuk u ka dalë paga.

“Jo hala nuk ka dalë (paga stimuluese), po presim. Kam thirr në një numër, po më duket në administratën tatimore i morën të dhënat e kçyrën në sistem dhe më thanë që janë mirë (të dhënat) më thanë qenke i procesuar krejt vetëm me kërku prej thesarit”, thotë Rexhepi për KALLXO.com.

Rexhepi thotë se e ka marrë pagën, por jo edhe katër punëtorët e tij të rregullt.

Tutje, ai theksoi se edhe vëllait të tij me të cilin e kanë bashkë restaurantin nuk i janë transferuar paratë.

“Pesë janë me mua (punëtorë). Mua me kanë dalë paratë por punëtorëve ende jo. Unë e kam edhe vëllanë bashkë e kemi restaurantin edhe atij nuk i kanë dalë ende edhe punëtorëve të tjerë”, tregon ai.

Pothuajse problemin e ngjashëm e kishin edhe punëtorët e lokalit “Metalurgjia” në po të njëjtin qytet, por që javën e fundit e kanë marrë këtë pagë.

Pronari, Hajriz Asllani tha për KALLXO.com se që nga java e kaluar gradualisht e kanë marrë pagën punëtorët në përjashtim të një punëtori, siç thotë Asllani është vonuar në hapjen e llogarisë bankare.

“Po i kanë marrë vetëm një punëtor nuk e ka marrë. Ai pak me vonesë e ka hapë llogarin bankare kështu që tash është komplikuar puna. Nuk i kanë marrë për një ditë krejt por dita-ditës”, tha Asllani.

Këto paga që tashmë janë transferuar tek këta punëtorë janë paga për muajin e parë, por jo edhe për të dytin.

Asllani thotë se edhe ai e ka marrë pagën me vlerë 170 euro.

“Po është paga (stimuluese) e para. Po edhe unë i kam marr 170 euro”, tha tutje ai.

Muharrem Shahini nga Ministria e Financave në përgjigjet për KALLXO.com është shprehur se Pakoja Emergjente është në implementim e sipër andaj ka vonesa.

Tutje ai thotë se një pjesë e dokumentacionit ka qenë në proces të verifikimit, por në vijim do të dalin këto paga për përfituesit e tjerë.

“Pakoja emergjente fiskale është në implementim e sipër, prandaj disa përfitues i kanë marrë mjetet financiare dhe disa jo. Një pjesë kanë qenë në proces të verifikimit të dokumentacionit nga Komisioni përkatës. Kështu që, mbetet që në periudhën vijuese t’iu dalin edhe përfituesve të tjerë”, thotë Shahini.

Ndërsa në pyetjen pse pagat stimuluese kanë dalë për pronarët e për punëtorët jo, ai thotë se kjo pako ka për qëllim të i mbështesë bizneset e goditura nga pandemia.

Sigurisht nëse i plotësojnë kriteret e përcaktuara, shprehet tutje.

“Nëse i shihni me vëmendje masat e pakos emergjente fiskale, ato kanë për synim të ofrojnë mbështetje edhe për bizneset e goditura nga pandemia, sigurisht, nëse ato i plotësojnë kriteret e përcaktuara në kuadër të planit operacional”, u përgjigj ai.

KALLXO.com në muajin maj pati publikuar një hulumtim ku pronari i një biznesi privat është futur në listë bashkë me punëtorët e tij, e që sipas masave të Pakos Emergjente nuk i takonte të përfshihej në këtë listë.

Në anën tjetër Ministrja e Financave Hykmete Bajrami para tre dite ka thënë se nuk ka buxhet për të bërë pagesën e dytë për punëtorët.

Ajo tha se rishikimi i buxhetit është dërguar në Kuvendin e Kosovës dhe se Qeveria nuk ka mjete të mjaftueshme për të zbatuar Pakon Emergjente për pjesën e dytë.