Prona e Komunës si ‘toka e babës’ – Qiramarrësit i japin tjetër kujt pronën me qira nga Komuna e Ferizajt
Pronat komunale të dhëna në shfrytëzim, sipas ligjit nuk munden të barten në shfrytëzim tek persona tjerë.
Megjithatë, Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se në Ferizajt në të paktën katër raste ka ndodhur diçka e tillë.
Komuna e Ferizajt në vitin 2017 i kishte dhënë në shfrytëzim dy parcela Ndërmarrjes Publike Lokale ‘Ambienti’, pa kompensim. ZKA gjeti se bordi i kësaj ndërmarrjeje, më 15.04.2021 kishte vendosur që pronën ta shpallte në ankand publik për ta dhënë në shfrytëzim pa aprovimin e Komunës.
Një pronë prej 3 mijë metrave katrorë i ishte dhënë dikujt më 28.06.2017, kjo pronë sipas ZKA ishte duke u shfrytëzuar nga një subjekt tjetër juridik.
Për një pronë prej 2 mijë metrave katrorë, që Komuna e Ferizajt e dha në shfrytëzim në vitin 2023, u gjet se aty po operonte një biznes tjetër që nuk ka kontratë me komunën dhe pa aprovimin e këtij institucioni.
Një pronë e dhënë ne shfrytëzim më 2016, me sipërfaqe prej 44 metrave katrorë, u identifikua se edhe aty po operon një biznes tjetër që nuk ka kontratë me komunën dhe nuk ka aprovim nga ta.
Kjo ka ardhur për shkak të mungesës së mekanizmit për monitorimin e pronave komunale, sipas ZKA-së.
“Dhënia e pronës nga ana e pronarëve që janë lidhur kontrata palëve të treta, duke ndryshuar formën e biznesit dhe pronarëve jo në pajtim me ligjin, rrezikon që prona e dhënë në shfrytëzim të mos e arrij objektivin për të cilin është dhënë në shfrytëzim fillimisht apo edhe mund të keqpërdoret” – thuhet në raportin e ZKA-së.
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu rekomandohet që të siguroj menaxhim efikas të kontratave si dhe të merr masat e nevojshme dhe të informoj Kuvendin Komunal me shkrim për veprimet e propozuara si dhe shkëputjen e kontratës apo masave tjera.
Më 19.07.2024, Kryetari i Komunës ka konfirmuar se ka pranuar draft-raportin e ZKA-së dhe se Brenda 30 ditëve do të dërgojë planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve.
Këtë raport të auditimit mund ta qasni në këtë VEGËZ.