Promovimi i librit 'Nga Gonxhe Bojaxhiu deri te Nënë̈ Tereza'. Foto: Isa Vatovci/Kallxo.com

Promovohet në Prishtinë libri për Nënë Terezën në 110 vjetorin e lindjes së saj

Duke sfiduar rrezikun nga COVID-19 dhe vendimet e Qeverisë për parandalimin e pandemisë është promovuar sot në Prishtinë libri “Nga Gonxhe Bojaxhiu deri te Nënë Tereza…”, i autorëve Skender Asani, Nora Maliqi Zylani dhe Albert Ramaj.

Ky promovim i organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup dhe Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur në Prishtinë, u mbajt para shtatores së Nënë Terezës në sheshin që mban emrin e shenjtores.

Me këtë promovim, sipas organizatorëve, në mënyrë simbolike shënohet edhe 110 vjetori i lindjes së Gonxhe Bojaxhiut.

Libri me nëntitullin “Një sagë për jetën e shqiptarëve  katolikë të Shkupit” sjell të dhëna me interes jo vetëm për Nënë Terezën por edhe për një pjesë të historisë shqiptare në Shkup.

Për librin kanë folur organizatorët e promovimit dhe biografë të Nënës Terezë, ndërsa një fjalë rasti mbajti edhe zv.kryeministri Besnik Tahiri.

Promovimi i librit ‘Nga Gonxhe Bojaxhiu deri te Nënë̈ Tereza’. Foto: Isa Vatovci/Kallxo.com

Gjatë fjalës së tij, Tahiri ka thënë se Qeveria e Kosovës është e nderuar me këtë botim.

“Ky botim përveç se ngërthen në vete të dhëna faktike e studime të sakta për Nënë Terezën,  reflekton edhe mbi trungun familjar, shkollimin, babain e saj,  që e vërteton një fakt që ne e din të gjithë, që një shqiptare me përkushtimin e saj i ka bërë ndër gjithë kombit”, ka thënë ai.

Kurse, Dom Lush Gjergji, biografi i Nënës Terezë, ka thënë se ngjarjet e Shkupit dhe e Prishtinës të mbajtura sot e nderojnë Nënë Terezën, familjen dhe gjithë kombin.

“Gonxhja jonë është një bijë, motër e nënë të cilën Zoti e zgjodhi për të dëshmuar lashtësinë, autoktoninë, martirizimin, krishterimin tonë të lashtë iliro-arbëror- shqiptar, dhe për të dëshmuar vlerat dhe virtytet e popullit tonë”, ka thënë Dom Gjergji.

Promovimi i librit ‘Nga Gonxhe Bojaxhiu deri te Nënë̈ Tereza’. Foto: Isa Vatovci/Kallxo.com

Skender Asani, drejtori i ITSHKSH në  Shkup, njëri nga autorët e librit, ka thënë se ITSHKSH po bënë hapa të guximshëm në përvetësimin e përvojave më të avancuara hulumtuese në ndriçimin e jetës dhe veprës së kolosëve tanë, përfshirë edhe Nënë Terezën.

“Në kuadër të institutit tonë ne kemi themeluar një departament që merret me kryesisht me studimin e jetës dhe veprës së Gonxhe Bojaxhiut- Nënë Terezës. Me themelimin e këtij departamenti ne kemi dashur të ngremë në nivelin më të lartë të kujdesit institucional figurën e Gonxhe Bojaxhiut duke e shndërruar gjithë trashëgiminë e saj familjare dhe shpirtërore në aset të trashësisë nën mbrojtje të shtetit”, ka thënë drejtori Asani.

Recensenti i librit, Mehmet Prishtina, ka thënë se ky libër vjen si përpjekje e vazhdueshme e ITSHKSH në Shkup për të rikthyer në binarët e duhur studimin dhe hulumtimin shkencor mbi një traditë pak a shumë të mohuar, por asnjëherë të harruar.

“Personazhet e përfshira në këtë libri janë pjesë e galerisë së ndritshme të kombit siç ishte familja Bojaxhiu”, ka thënë Prishtina.

Ndërsa, studiuesja Migena Arllati, ka thënë gjatë fjalës së tij se me botimin e këtij libri është dhënë një kontribut për figurën e Shën Terezës.

“Ky libër dhe shumë monumente kushtuar Shën Terezës nuk janë asgjë tjetër përveç vula e përjetësisë së saj”, ka thënë Arllati.

Promovimi i librit ‘Nga Gonxhe Bojaxhiu deri te Nënë̈ Tereza’. Foto: Isa Vatovci/Kallxo.com