Promovohet libri 'Qytetet e Ilirisë' i Gani Mehmetajt

Me një minutë heshtje në shenjë nderimi për policin e Kosovës, Sami Thaqi, të vrarë dy ditë më parë, ka nisur sot promovimi i librit “Qytetet e Ilirisë” i Gani Mehmetajt,  që u mbajt në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.

Libri “Qytetet e Ilirisë” i tipit të udhëpërshkrimit,  prezanton 23 qytete shqiptare që kanë një vazhdimësi që nga antikiteti e deri në ditët e sotme, por dhe të ato që për arsye historike kanë mbetur vetëm si asete arkeologjike.

Udhëpërshkrimi nis me qytetin e Gjakovës për të vazhduar pastaj me Nishin, Prizrenin, Ulpianën, Shkodrën e kështu me radhë gjer në jugun e Shqipërisë.

Shaban Arifaj, redaktor i librit, ka potencuar gjatë këtij promovimi se kjo vepër, përveç tjerash,  i kalon edhe parametrat e një studimi historik.

“Përmbajtjen, shtjellimin dhe përshkrimet Ganiu i bën me një kapërcim të fuqishëm historik duke u thelluar në përshkrimin e ngjarjeve që lidhen me atë të periudhës së lavdishme të Ilirisë, duke i përshkruar në mënyrën më të mirë të mundshme si një realitet i qëndrueshëm historik”, ka thënë Arifaj.

Kurse studiuesi i letërsisë Femi Cakolli ka thënë se libri “Qytetet e Ilirisë” është një libër i zhanrit udhëpërshkrues arkeologjik në të cilin janë përshkruar 23 qytete shqiptare.

“Përshkrimi nis nga Gjakova dhe disa vendbanimeve më të vogla, kalon në qytetin më verior të Dardanisë – Nishin, e vazhdon duke zbritur pastaj deri në jugun e Shqipërisë”, ka thënë Cakolli,

Ndërsa autori Gani Mehmetaj ka thënë se libri “Qytetet e Ilirisë” është rezultat i vizitave të tij në vendbanime të ndryshme historike.

“Libri është rezultat i bredhjeve të mia, duke u mbështetur në vizitat që bëja gjatë hulumtimeve arkeologjike të bëra nga vëllai im Haxhi Mehmetaj, por edhe vizitave të mia nëpër qytete të Ilirisë”, ka thënë Mehmetaj.