Promovimi i librit “Shteti paralel i Kosovës dhe mosbindja civile 1989-1999". Foto: KALLXO.com.

Promovohet libri për organizimin shtetëror të Kosovës gjatë viteve 1989-1999

Libri “Shteti paralel i Kosovës dhe mosbindja civile (1989-1999)” i autorit Florent Rrahmani është promovuar të martën, më 10.12.2024, në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë.

Libri shpalos një historik të gjithanshëm të organizimit shtetëror të Kosovës, në të gjitha fushat, në: arsim, shëndetësi, organizimin politik e social gjatë viteve 1989-1999.

Botimi i këtij libri është vlerësuar nga personalitetet shkencore e politike, sipas të cilëve paraqet një rëndësi të veçantë për historinë moderne të Kosovës.

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, një nga protagonistët e ndërtimit të institucioneve shtetërore të Kosovës gjatë viteve 1989-1999, tha se përmes këtij libri dokumentohet rezistenca e popullit kundër aneksimit të Kosovës nga Serbia.

“Libri ka një titull sfidues që shtyn një diskutim në shumë rrafshe, duke pasur parasysh se paraqet një nga periudhat më të ndjeshme të rezistencës apo qenies sonë karshi gjithë atyre zhvillimeve të mëdha që kanë qenë në Kosovë”- tha ish-presidenti Sejdiu.

Libri është vlerësuar edhe nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. Ai tha se libri “Shteti paralel i Kosovës dhe mosbindja civile 1989-1999” është testament i ndërtimit të themeleve të shtetit të Kosovës.

“’Shteti paralel i Kosovës dhe mosbindja civile 1989-1999’ është një testament i jashtëzakonshëm i rezistencës sonë dhe një dritë mbi sakrificën, vetorganizimin dhe guximin që ndërtuan themelet e shtetit tonë. Florent Rrahmani ka sjellë një vepër të vyer, që do të shërbejë si referencë e rëndësishme për studiuesit vendas dhe ndërkombëtarë”- ka thënë kryetari Rama.

Botimi i librit “Shteti paralel i Kosovës dhe mosbindja civile (1989-1999)” është mbështetur nga Komuna e Prishtinës.