Promovohet libri “Mugen” i Kushtrim Thaqit

Dje në Qendrën për Edukim dhe Kulturë “Libart”, u promovua libri “Mugen” në gjuhën angleze i Kushtrim Thaqit, i cili njëherësh është edhe libri i parë i tij.

“Karakteri është komplet vagabond prej natyrës, për arsye se nuk ka as mësues, as dijeni për gjërat që i bën, por i bën se dëshiron t`i bëjë,” tha Thaqi mbrëmë gjatë promovimit të librit të tij të parë, thuhet në njoftimin e organiztës ETEA.

Pjesa tjetër e librit përpos poezisë “Nanë” është e shkruar në gjuhën angleze. Për këtë, Thaqi thotë së ndihet më rehat kur shkruan në anglisht, pasi poezia e cila e ka futur në fushën e letërsisë ka qenë anglisht, dhe rrjedhimisht i vjen më natyrshëm të shkruajë në këtë gjuhë.

Sipas autorit, ai nuk mundet t’ia dedikojë një poezi nënës me tjetër emër.

“Vazhdova të lexoj gjithçka, të shkruaj gjithçka. Kam shkruar tërë kohën, e kam rigjetur vetën në çdo shkrim, në çdo poezi. Jam munduar të gjej gjëra që nuk i kam përjetuar ma herët. Jo se ka ndonjë arsye pse anglisht e pse shqip, thjesht ishte më natyrale të shkruaj kështu” tha Thaqi.

Botuesja e librit, Ervina Halili tha hyrja e këtij libri vë në diskutim një rend të ri të etikës njerëzore.

“Libri nisë më një fjali repetitive e cila po ashtu e shkruar në gjuhën angleze, gjuhë e cila markon fillimin e botës digjitale të shek. XX. Mjafton një hyrje e tillë letrare për ta diskutuar vënien e një rendi të ri të etikës njerëzore përmes botës digjitale dhe formimin e njeriut të ri që shkëputet gradualisht nga memoria e tij organike,” kishte thënë Halili.

Por sipas Halilit, libri nuk tenton të japë një përgjigje, dhe kjo është modestia e tij porse autori hyn në një dialog të brendshëm me vetën dhe proceset që në vazhdimësi tentojnë të marrin territorin njeriut të moçëm.

Nga japonishtja “Mugen” do të thotë “Andërr”, “I pakufishëm”, “Iluzion”.

Thaqi tregoi se, fillimisht, librin ka dashur ta quajë “Cikël” pasi, sipas tij, cikël është proces i njeriut që tërë kohën ndryshon dhe e gjen vetën. Ndërsa, më vonë, libri është emëruar sipas personazhit të animeve japoneze, Mugen.

Qendra për Edukim dhe Kulturë “Libart”, mundësohet nga Komuna e Prishtinës, Biblioteka “Hivzi Sulejmani” dhe organizata ETEA.