
Libri “Jugosllavia u shemb në Trepçë” - Foto: KALLXO.com
Promovohet libri “Jugosllavia u shemb në Trepçë”, i cili flet për grevën e minatorëve më 1989
Libri “Jugosllavia u shemb në Trepçë”, i cili flet për grevën e minatorëve që u mbajt në vitin 1989, në mbrojtje të Kosovës nga politikat shtypëse të Serbisë, u promovua sot, më 26.02.2025, në sallën e Rektoratit të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”.
Autorja Anna Di Lellio tha se ky nuk është libri i parë që i dedikohet këtij gjiganti metalurgjik.
Sipas saj, libri dokumenton se çfarë ka ndodhur në “Trepçë” dhe Kosovë, në një vit të rëndësishëm, siç tha ajo, viti 1989.
Sipas saj, viti 1989 është shumë i rëndësishëm për Kosovën sepse fillon në shkurt me “Trepçën” dhe i jep drejtim qëllimeve të këtij vendi.
“’Trepça’ ishte burim jetese për shqiptarët, u siguronte pagë, apartament dhe një jetesë stabile. Ishte burim i fuqishëm ekonomik për Kosovën dhe Jugosllavinë. Në këtë libër është një histori e një grupi të njerëzve që kanë vuajtur dhe kanë luftuar për të drejtat e tyre”- tha ajo.
Greva tetëditëshe u realizua për ta mbrojtur Kosovën nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, derisa u shndërrua në rezistencë gjithëpopullore kundër represionit të Serbisë kundër Kosovës.
“Nëse Millosheviq nuk do të ishte aq kryefortë, ndoshta Jugosllavia nuk do t’i kishte këto luftëra të përgjakshme, në të cilat u vranë shumë njerëz dhe u shkaktuan shumë dëme. Çdoherë kur ka liderë kriminalë, tashmë Putin, nuk e dimë se si do të zhvillohen këso situata. Millosheviqi nuk ndalej”- u shpreh Anna Di Lellio.
Ajo thotë se në këtë libër ka shumë tragjedi dhe shumë inteligjencë nga ata që ishin në krye të “Trepçës” deri te punëtorët më të thjeshtë.
“Në këtë libër është një histori kur një punëtori të ‘Trepçës’ policia serbe i kishin thënë se ia kanë vrarë me snajper gabimisht babanë e tij. Ky nuk ishte një gabim, ishte bërë me qëllim”- theksoi ajo.
Duke shpresuar se libri do të lexohet nga gjeneratat e reja, autorja tha se në të pasqyrohen protagonistët e grevës dhe se ata flasin për veten e tyre.
Të pranishëm në sallë ishin ish-minatorë, të cilët falënderuan autoren për kontributin që e ka dhënë përmes kësaj vepre.

Ndryshe, minatorët e “Trepçës” janë mbledhur për ta kujtuar grevën që u mbajt në vitin 1989, në mbrojtje të Kosovës nga politika e Sllobodan Millosheviqit.
Në këtë manifestim që u mbajt më 20.02.2025 mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili përmendi sukseset e ndërmarrjes, në veçanti atë se “Trepça” ka rikthyer nën menaxhim të gjitha pronat e saj.
Ndërsa në anën tjetër, kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Januzi, kërkoi kushte elementare për punë për minatorët.
Më 21.06.2024, pas 35 vitesh nga greva e tyre revolucionare për historinë e Kosovës, disa nga minatorët e nëntokës së pasur të “Trepçës” ishin rikthyer në kohë – duke kujtuar me nostalgji përjetimet e tyre – në një marsh që i bashkoi ekspozita “Reporting House” në Prishtinë.
“O pash Zotin tha ‘mos hyni në Prishtinë se asnjo të gjallë s’keni me hy’. Thash: Pasha Zotin kena me hy, ja të gjallë, ja të vdekur’” – ishin fjalët e shkëmbyera midis Remzi Kolgecit dhe minatorit Isuf Boletini, duke kujtuar grevën e vitit 1989, teksa po udhëtonin nga Mitrovica drejt Prishtinës më 20.06.2024, për të marrë pjesë në marshin e thirrur në kryeqytet drejt ekspozitës “Reporting House”, aty ku shfaqet një fotografi e minatorëve nga zhvillimet e 1989-ës.