Promovohet libri i Nevenka Tromp, për gjykimin e kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq

Studiuesja Nevenka Tromp ka promovuar sot në Kolegjin AAB në Prishtinë, librin “Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Millosheviqit”.

Libri i Tromp ofron një analizë të hollësishme të gjykimit të ish- udhëheqësit serb, Sllobodan Millosheviq në Tribunalin Ndërkombëtar për ish- Jugosllavi në Hagë të Holandës.

Gjatë promovimit u tha se “Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Millosheviqit”, nxjerrë në dritë të dhëna, informacione e dokumente mjaft të rëndësishme rreth gjykimit të ish-kryetarit të Serbisë dhe ish- federatës së cunguar jugosllave.

Autorja e librit, Nevenka Tromp, ish – punonjëse në Gjykatën e Hagës dhe hulumtuese në rastin e Masakrës së Srebrenicës, tha gjatë promovimit se i janë dashur vite për të realizuar librit.

“Është dashur shumë vite dhe një punë e madhe për mbledhjen e materialeve për librin në zyrat e Gjykatës së Hagës. Jam e lumtur me atë që kam arritur dhe vlerësimin që i bëhet kontributi tim për të njohur atë se çfarë ka ndodhur gjatë atij gjykimi”, ka thënë ndër të tjerash Tromp.

Një fjalë rasti ka mbajtur edhe rektori i Kolegjit AAB, Buhar Demjaha dhe redaktorët e librit Fortuna Sheremeti dhe Robert Muharremi.

Libri është përkthyer nga Kastriot Myftiu dhe botuar nga SHB “Pema” në Prishtinë.

Sllobodan Millosheviq u arrestua në 2001 me akuzën për gjenocid dhe u dërgua në Hagë për gjykim.

Vdiq gjatë gjykimit më 11 mars 2006.