Promovohet libri ‘Fibracionet’ i Qamil Haxhibeqirit

Seksioni i Shkencave të Natyrës i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka promovuar sot librin “Fibracionet” të autorit Qamil Haxhibeqiri, anëtar korrespondent i kësaj akademie.

Monografia “Fibracionet” e autorit Haxhibeqiri është një studim shkencor për fushat e matematikës.

Profesor Minir Efendiu gjatë kumtesës së tij për monografinë ‘Fibracionet”, ka pohuar se studimi i akademik Haxhibeqirit është një kontribut për studimet shkencore në fushata e matematikës.

“Monografia shkencore “Fibracionet’ paraqet një arritje dhe kontribut me vlera të larta shkencore në fushën e matematikës dhe një burim me rëndësi shkencore për studimet në këtë fushë”, ka thënë profesor Minir Efendiu.

Autori Qamil Haxhibeqiri ka pohuar pavarësisht shfrytëzimit të pakët që do mund t’i bëhet librit, Akademia ka vendosur t’ia botojë atë.

“Një falënderim i posaçëm i takon edhe ASHAK për botimin e këtij libri duke ditur se ky botim nuk është fitimprurës në kuptimin material, meqë komuniteti i matematikanëve që mund ta shfrytëzojë është shumë i vogël”, ka thënë Haxhibeqiri.

Ndërsa akademik Fetah Podvorica, Sekretar i Seksionit të Shkencave të Natyrës, ka thënë se me vendim të kryetarit të akademisë, Mehmet Kraja të gjitha botimet e ASHAK do të promovohen publikisht, në vitin kalendarik kur ato botohen.