Promovimi i librit ‘E vërteta e aktorit’. Foto: KALLXO.com.

Promovohet libri ‘E vërteta e aktorit’, rrëfimi i dhimbshëm për diskriminimin e artistëve skenik në Kosovë

Naim Berisha, aktor në Trupën Rezidente të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare librin studimor, “E vërteta e aktorit”.

Ky studim prezanton trajtimin dhe padrejtësitë me të cilat përballen sot aktorët kosovarë, kryesisht në teatrot publike gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.

Duke qenë i ballafaquar edhe vet me probleme të tilla, bazuar në dëshmi faktike dhe vendime e akte tjera të institucioneve ligjzbatuese, aktori Berisha jep një pasqyrë të dhimbshme të diskriminimit dhe sulmeve të natyrave të ndryshme me të cilat përballen aktorët e teatrit që nga paslufta në Kosovë.

Aktori Avni Dalipi tha gjatë këtij promovimi se libri “E vërtetat e aktorit” prezanton më së miri problemet që ballafaqohen krijuesit tanë, në këtë rast aktorët e teatrit.

“Njëkohësisht, libri është një shembull se si duhet veprohet për të mbrojtur të drejtat tona. Aktorët janë profesionistë të mirë, por që na mungojnë njohuritë juridike që do t`u ndihmonin në mbrojte të të drejtave”- tha Dalipi.

Studiuesi Imer Topanica, duke folur për librin, tha se  “E vërteta e aktorit”, të mëson se përmasat e padrejtësive të shtrira në institucionet publike teatrore janë të paimagjinueshme.

“Berisha nëpërmjet këtij libri, veç që na i çelë sytë, gati përdhunshëm për të na ndërgjegjësuar rreth gjendjes në të cilën ndodhemi, nuk flet vetëm nga prizmi i njohësit të teatrit, e as historisë së dhimbshme të tranzicionit në jetën teatrore, por si një intelektual i mirëfilltë”- tha ai ndër të tjerash.

Ndërsa, Sadik Krasniqi, profesor i edukimit fizik, prezantoi para të pranishmëve poezinë e tij ‘Aktori’, të cilën siç tha ai e shkroi në kohës sa ishte pjesë e përgatitjes së një shfaqje teatri, pjesë e së cilës ishte edhe aktori Berisha. Ai tha se poezia është frymëzuar nga puna me përkushtim e aktorëve për realizmin e një shfaqje teatrale.

Promovimi i librit ‘E vërteta e aktorit’. Foto: KALLXO.com.