Promovimi i librit ‘Akustika, të folurit dhe muzika’. Foto: KALLXO.com.
Promovohet libri "Akustika, të folurit dhe muzika" i autores Myzafere Limani
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka promovuar të mërkurën, më 06. 11.2024, librin “Akustika, të folurit dhe muzika” të autores Myzafere Limani.
I ndarë në 7 kapituj, ky libër shqyrton fushat më të rëndësishme të akustikës.
Akademik Fejzullah Krasniqi, tha gjatë fjalës së tij se “Akustika, të folurit dhe muzika” është një vepër e rëndësishme e cila prezanton punën shkencore të Myzafere Limanit. “Autorja e kësaj vepre, me punën e vet shkencore, në këtë lëmi mjaft të komplikuar, por edhe të vlerësuar në kuadër të shkencave teknike, ka arritur të krijojë biografi mjaft të pasur e të gjerë me plotë rezultate shkencore e profesionale të njohura edhe ndërkombëtarisht”- tha akademik Krasniqi.
Ndërsa, Sabrije Osmanaj, bashkërecensente e librit, tha se ky libër do të jetë ndihmesë e madhe për studentët dhe studiuesit që merren me lëmit e trajtuara nga autorja Limani. Sipas saj, akustika, shkenca e zërit është zhvilluar në një fushë ndërdisiplinore që përfshinë disiplinat akademike të fizikës, inxhinierisë, të folurit, muzikës, etj.
“Nga përmbajtja gjithëpërfshirëse, duke filluar nga akustika fizike e duke u përmbyllur me trendet e fundit të të folures sintetike dhe muzikës sintetike, studiuesit dhe studentët do të kenë në dispozicion një burim të pasur dhe shkencërisht të plotësuar”- tha Osmanaj.
Kurse, autorja Myzafere Limani tha se libri “Akustika, të folurit dhe muzika” është i veçantë, pasi siç tha ajo, është i shkruar në një fushë të cilën ajo e ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës profesionale, shkencore e akademike.
“Qasja për të shkruar një libër për akustikën, të folurit e muzikën, është një qasje që mund të ketë nëndrejtime të ndryshme”- tha jo.
Myzafere Krasniqi-Limani e lindur në Pejë më 1954, ka studiuar në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës në fushën e elektronikës dhe telekomunikacionit. Në vitin 2016 është zgjedhur anëtare korrespodente e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.