Trashëgimia arkeologjike dhe veshjet tradicionale, Fotografi: Vlora Dumoshi në Facebook

Promovohet diversiteti kulturor i Kosovës në 'Ditët e Trashëgimisë Evropiane'

Në hapësirat e Parkut Arkeologjik  “Ulpiana” u promovua sot pasuria e trashëgimisë kulturore të  Kosovës.

Në kuadër të “Ditëve të Trashëgimisë Kulturore Evropiane” u ekspozuan dhe u promovua përmes një ekspozite trashëgimia arkeologjike dhe veshjet tradicionale të Kosovës.

Kryeministri Avdullah Hoti i cili mori pjesë në këtë ngjarje ka shkruar në Facebook se së shpejti  do të lëvizim drejt anëtarësimit edhe në organizata ndërkombëtare për të promovuar kulturën edhe diversitetin kulturor.

“Me eskpertizën që e kemi, me këtë pasuri dhe me kujdesin e jashtëzakonshëm që ka Ministrja e Kulturës në nivelin lokal dhe këtu në nivelin qendror, Kosova së shpejti do ta ketë vendin në hartën e UNESCO-s” ka shkruar Hoti.

Ministrja e Kulturës Vlora Dumoshi përmes një postimi në Facebook ka thënë se  respekti ndaj diversitetit kulturor kontribuon në paqe dhe stabilitet dhe ndihmon për të mbajtur një lidhje të qëndrueshme në mes të komuniteteve të ndryshme dhe përmes kësaj bashkëjetese krijohen kushte që komunitetet të ruajnë, mbrojnë dhe zhvillojnë identitetin e tyre.

“Kosova trashëgon një thesar të pasur kulturor dhe është pjesë e trashëgimisë kulturore botërore. Kjo trashëgimi gjendet në çdo kënd të Kosovës, në këtë park arkeologjik, në galeritë e artit, në qendra filmike e fotografike, në kalatë dhe kullat me gur, në kalldërmet dhe rrugicat e ngushta, në shatërvanet dhe muzetë tona, por Kosova trashëgon edhe thesar shpirtëror që paraqitet përmes këtyre veshjeve, me veglat dhe dukuri tjera që po paraqiten sot këtu para jush” ka shkruar Dumoshi.

Kjo ngjarje ishte organizuar në bashkëpunim të ngushtë me Zyrën e Kryministrit ku u prezantuan veshje tradicionale nga fondi i Muzeut Kombëtar të Kosovës, shoqërive kulturo – artsitike të vendit dhe Fondacionit Tradita Poullore nga Tirana.

Trashëgimia arkeologjike dhe veshjet tradicionale, Fotografi: Vlora Dumoshi në Facebook
Trashëgimia arkeologjike dhe veshjet tradicionale, Fotografi: Vlora Dumoshi në Facebook