Promovohet ditari ‘Tmerri ka emër’ i autorit Asllan Selimi

 

Libri-ditari ‘’Tmerri ka emër’’ i autorit Asllan Selimi, është promovuar të premten në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Promovimi i këtij libri ka mbushur sallën e Bibliotekës me njerëz nga të gjitha profilet.

Me një minutë heshtje dedikim për të rënët e luftës, dhe me pas me një shfaqje-monolog nga regjisori Dibran Fylli, ka filluar ceremonia e promovimit të këtij libri. Monologu i Fyllit ka shkëputur pjesë nga libri, ku përshkruhet biseda me pyetje drejtuar Asllanit dhe shokëve të tij të burgosur në kohën e luftës në Kosovë, të parashtruara nga policë serbë.

Nait Hasani, recenzent i librit dhe bashkëkohës i Selimit, tha se arrestimi i Asllanit dhe torturat e përjetuara në sigurimin e shtetit serb, janë një dëshmi e mjaftueshme e përgjithësimit të torturave që kemi përjetuar të gjithë të arrestuarit.

‘’Asllani me shkrimet e tij, kronikë lufte, burgu e qëndrese, në formë ditari na tregon se është i përgatitur, jo vetëm si inxhinier, por edhe si intelektual e shkrues i letrave në kujtime’’ – tha Hasani.

Ai ka përmendur disa nga ngjarjet që janë shkruar në libër, si masakra e Dubravës, në të cilën Selimi ka përfunduar i mbijetuar, më pas përshkrimi i bombardimeve të NATO-s, largimi nga Burgu i Dubravës, torturat në burgun e Lipjanit nga gardianët dhe policët, ushtarët, qëndrimin dy javor në Lipjan pa ushqim, pa kujdes shëndetësor dhe dhunë sistematike, qëndrimin në burgun e Nishit dhe dhunën e ushtruar po ashtu në këtë burg.

Në libër të gjitha këto janë të përshkruara përveç me fjalë, disa edhe me fotografi që pasqyrojnë ngjarje të luftës së fundit në Kosovë, të cilat mund t’i gjeni në shkrimet e 21, 22 dhe 23 majit 1999, për masakrën e Dubravës.

Sipas profesorit Lan Qyqalla, ky libër është aq i rëndësishëm për Kosovën dhe rajonin, saqë duhet të futet në lekturën shkollore.

‘’Propozoj Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë e Kosovës, Preshevës e Medvegjës, Plavës e Gucisë, të Maqedonisë shqiptare, që ta fusin në lekturën e obligueshme shkollore për të lexuar, mësuar e studiuar këtë Ditar të Asllan Selimit’’ – është shprehur Qyqalla.

Shkrimet në libër datojnë që nga 30 janari 1977, deri në qershor 1999 dhe Selimi i kishte shkruar këto deri në vitin 2007, kur pësoi një aksident dhe shëndeti i tij ishte përkeqësuar, me këtë rast e kishte ndërprerë vazhdimin e punës në libër.

Asllan Selimi ka studiuar në Fakultetin Xehtaro Metalurgjik në Mitrovicë dhe në vitet e hershme u angazhua në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës përmes vëllait të tij – Rexhep Selimi. Për shkak të aktivitetit të tij si anëtar i UÇK-së ai u arrestua nga forcat serbe më 30 janar 1997 në Mitrovicë dhe në librin ‘’Tmerri ka emër’’ Selimi ka shkruar për ngjarjet më të rëndësishme të kohës që ai i ka përjetuar. Më 16 dhjetor 1997, nga gjykatat serbe dënohet me 10 vjet burgim, në burgjet serbe në Kosovë dhe Serbi.