Promovimi i ‘Antologjisë së dramës bashkëkohore në Kosovës’. Foto: Kallxo.com

Promovohet antologjia e dramës bashkëkohore të Kosovës

Qendra Multimedia ka promovuar sot në Teatrin Kombëtar librin “Antologji e dramës bashkëkohore të Kosovës”, në dy vëllime.

Dramaturgët Besim Rexhaj dhe Arian Krasniqi thanë gjatë këtij promovimi se kjo antologji përfshin një përzgjedhje dramash të krijuara nga dramaturgët kosovarë në 20 vitet e fundit.

Sipas tyre, botimi i kësaj antologjie është me rëndësi edhe për faktin se është antologjia e parë që mbledh dramaturgjinë bashkëkohore shqipe.

Dramaturgu Besim Rexhaj tha se botimi i kësaj antologjie shpërfaq edhe mospunën e institucioneve shkencore e kulturore, të cilat shumë më herët është dashur ta kenë një botim të tillë.

“Neve na gëzon botimi i kësaj antologjie, edhe pse në kushte normale do të duhej të kishte edhe antologji të tjera të dramës shqipe. Gjithsesi nuk do të ndalemi vetëm me botimin e këtyre dy pjesëve, por presim të dalë edhe pjesa e tretë e antologjisë së dramës së sotme shqipe”, ka thënë Rexhaj.

Ndërkaq, Arian Krasniqi ka pohuar, ndër të tjera, se antologjia përmbledh krijimet dramatike të gjeneratave të ndryshme të dramaturgëve kosovarë të botuar në dy dekadat e fundit.

“Pjesa më e madhe e dramave të përfshira në këtë antologji i janë nënshtruar procesit të verifikimit apo inskenimit  në skenat e teatrove, disa prej tyre edhe riinskenimeve në variante të ndryshme”, ka thënë dramaturgu Krasniqi.

Gjatë promovimit u zhvillua edhe një debat rreth inskenimit dhe hapësirës që i jepet dramaturgjisë shqipe në teatrot kosovare.

Dy vëllimet e antologjisë përfshijnë 16 autorë dhe 16 drama.

Vëllimi I: “Parfumeria” nga Haqif Mulliqi, “Shfaqja e fundit” nga Fadil Hysaj, “Monedha e Gentit” nga Milazim Krasniqi, “Kafeneja në udhëkryq” nga Visar Krusha, “Gjashtë” nga Arian Krasniqi, “Bodrumi” nga Ilir Gjocaj, “Vrasja e Mushkonjës” nga Xhevdet Bajraj dhe “Gishti” nga Doruntina Basha.

Vëllimi II:  “Aroma e hënës” nga Mehmet Kraja, “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” nga Jeton Neziraj, “Gruaja në dritare” nga Arta Arifi, “Binjakë siamezë” nga Ekrem Kryeziu, “Loja e pafund” nga Besim Rexhaj, “Hamleti sipas Horacit” nga Ag Apolloni, “Shkumësi” nga Naser Shatrolli dhe “Veriu” nga Agush Mulliqi.