Promovohen dy libra me epitafe orientale në varreza të rajoneve të Prishtinës dhe Mitrovicës

Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë dy libra me epitafe orientale të varrezave të regjionit të Prishtinës dhe të Mitrovicës.

Vëllimet “Epitafet në gjuhën orientale- Rajoni i Prishtinës”, përgatitur për botim nga Agron Islami, Selim Selimi dhe Hatixhe Ahmeti dhe “Epitafet në gjuhën orientale- Rajoni i Mitrovicës”, përgatitur për botim nga Agron Islami dhe Selim Selimi përmbledhin gjithsej 206 epitafe osmane në gurët e varreve të rajonit të Prishtinës dhe Mitrovicës.

Në të dy përmbledhje afërsisht janë përfshirë nga mbi 100 epitafe të gurëve të varreve përmes të cilëve, ndër të tjera, jepen të dhëna me rëndësi historike dhe demografike.

Folës gjatë këtij promovimi theksuan rëndësinë e përkthimit dhe të botimit të kësaj trashëgimie materiale islame, sidomos për të dëshmuar vazhdimësinë autoktone të popullsisë së dy rajoneve të Kosovës.

Agron Islami, njëri ndër përpiluesit e dy vëllimeve, ka thënë ndër të tjera se trajtimi i kësaj pasurie kërkon njohuri të thella për shkak të mundësisë së shtrembërim të kuptimit.

Ai ka përmendur epitafin që gjendet në oborrin e xhamisë në Mazhiq të Mitrovicës që daton nga viti 1592, që është përkthyer gabim dhe me ato gabime figuron në Databazën e trashëgimisë kulturore të Kosovës.

“Emri në epitaf është lexuar gabim, Ramazan, që në fakt është Murtezan dhe përveç kësaj është tejkaluar edhe emri i familjes Voci. Përveç gabimit, Ramazani i biri i Osmanit, Murtezanit i është humbur edhe identiteti i prejardhjes, mbiemri Voci, që ne e kemi nxjerrë nga leximet e fundit, një mbiemër që edhe sot ekziston dhe sigurisht dëshmon një të kaluar kulturore të familjes që vjen nga zona e Mitrovicës”, ka thënë Islami.

Dekani i Fakultetit  të Studimeve Osmane, Fahrush Rexhepi, në fjalën e tij ka thënë se botimi i këtyre vëllimeve ka një rëndësi shumëdimensionale.

“Këto mbishkrime japin një histori për të kaluarën e popullit tonë, duke shërbyer si ura lidhëse në mes të kaluarës dhe të sotmes”, ka thënë dekani Rexhepi.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ka potencuar rëndësinë që ka evidentimi dhe përkthimi i epitafeve në gurët e varreve, që siç ka thënë ai, paraqet dëshmi mbi rëndësinë e kulturës dhe qytetërimin islam, por edhe autoktoninë në këto treva.

“Kultura materiale islame paraqet një rëndësi edhe për historiografinë shqiptare, ngase paraqet vazhdimësinë e identitetit të mëvetësishëm dhe autoktonin shqiptare përballë historiografisë së fqinjit ortodoks, që edhe sot përpiqet ‘të dëshmojë’ të drejtën historike përmes objekteve sakrale”, ka thënë Tërmava.

Ndërkaq, recensenti Ermal Nurja ka folur rreth epitafeve të evidentuara sidomos në vëllimin për rajonin e Mitrovicës duke dhënë edhe statistika rreth gjendjes, stileve dhe rëndësisë së tyre në aspektin kulturor e historik.

“Epitafet kanë një rëndësi historike pasi përmes tyre kemi informacione, jo vetëm sa i përket përhapjes së islamizimin në trevat e Kosovës, por edhe për muhaxhirët nga Nishi”, ka thënë ndër të tjera Nurja.

Ndërsa studiuesi nga Turqia, Ertugrul Karakus, ka potencuar se historia e epitafeve të gurëve të varreve është e hershme dhe mjaft e ndryshme, dhe dato që nga kohë të vjetra.

“Epitafet kanë katër elemente të rëndësishme, në radhë të parë atë historike për kontekstin ballkanik, të historisë letrare, përmbajtjes dhe në fund për të kuptuar qasjen ndaj vdekjes apo se si e shikojmë vdekjen’, ka thënë Karakus.