Prokurorja ukrainase: Autoritetet po hetojnë mbi 13 mijë raportime për krime lufte

Prokurorja e përgjithshme e Ukrainës, Iryna Venediktova, tha të hënën se vendi i saj është duke hetuar 13 mijë raste për krime të dyshuara lufte të kryera nga qeveria dhe ushtria ruse, raporton The Washington Post.

Në një bisedë me “The Washington Post”, Venediktova tha se raportet përfshijnë pretendime për përdhunime, vrasje dhe tortura në të gjithë Ukrainën, në zonat e sulmuara ose nën pushtimin e trupave ruse. Çdo ditë, autoritetet marrin deri në 300 raporte shtesë të krimeve të luftës, raportohet të ketë thënë ajo.

Sipas gazetës amerikane, Venediktova tha se verdikti i të hënës i gjyqit të parë të krimeve të luftës në Ukrainë që gjeti Sgt. Vadim Shishimarin fajtor për vrasjen e një civili të paarmatosur, duhet të shërbejë si shembull për rusët që autoritetet ukrainase do të ndjekin penalisht të gjithë ata që janë përgjegjës për kryerjen e mizorive në Ukrainë.

“Nëse ata vendosin të bëjnë mizori të tilla, të vrasin, të përdhunojnë, të plaçkisin, të torturojnë, ne do t’i gjejmë të gjithë…,” tha ajo. “Ne do t’ju identifikojmë të gjithëve, do të fillojmë të ndjekim penalisht dhe ju do të jeni përgjegjës për të gjitha mizoritë tuaja.”

Venediktova pranoi sfidat e ndjekjes penale të numrit masiv të rasteve, veçanërisht të krimeve seksuale, pasi ajo tha se viktimat janë nën stres psikologjik dhe shpesh shumë të frikësuar për të folur me zbatimin e ligjit, duke pretenduar se kanë frikë nga hakmarrja ruse.

“Kjo është arsyeja pse është një sferë shumë, shumë e ndjeshme hetimi,” tha ajo, duke argumentuar se shumë nga viktimat e krimeve seksuale që janë zhvendosur në perëndim të vendit ose jashtë vendit, hezitojnë të flasin me autoritetet pasi ende vuajnë nga stresi dhe trauma.

“Për krime të tilla, ne duhet të ndalojmë luftën”, tha ajo. “Ne, si autoritete ukrainase, duhet të krijojmë kushte të sigurta për ato viktima dhe pas kësaj, një numër i madh viktimash do të jenë gati të flasin me autoritetet”.

Deri më tani, autoritetet kanë identifikuar dhe nisur hetimin e dy ushtarëve të dyshuar për kryerjen e krimeve seksuale, raportohet të ketë shtuar Prokurorja e përgjithshme e Ukrainës.

Ndërkaq, që prej nisjes së luftës Rusi – Ukrainë, gjykimi i parë për krime të luftës është bërë ndaj 21 vjeçarit rus, Vadim Shishimarin. Këtë të fundit, një gjykatë në Kiev ka dënuar me burgim të përjetshëm, për vrasjen e një civili të paarmatosur në Ukrainë.

Burgim i përjetshëm për ushtarin rus që kreu vrasje në Ukrainë