Kompleksi Memorial në Reçak - Foto: Atdhe Mulla

Prokurorja speciale: Publikimi i të dhënave për krimet e luftës dëmton hetimet dhe nuk lejon zbardhjen e tyre

Prokurorja speciale e cila merret me hetimin e krimeve të luftës, Drita Hajdari ka thënë se publikimi i emrave, të dhënave personale i personave që mund të jenë kryerës të krimeve të luftës, dëmtojnë hetimin si dhe nuk lejojnë zbardhjen e këtyre krimeve.

Kjo deklaratë erdhi pasi që këshilltari i Ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, Jetlir Zyberaj, publikoi disa fotografi dhe të dhëna personale ku pretendonte se personat e publikuar në statusin e tij ishin kryerës të krimeve të luftës e të Masakrës së Reçakut.

KALLXO.com ka kontaktuar me prokuroren speciale, Drita Hajdari e cila tha se me rastin e publikimit të këtyre të dhënave do të jetë e vështirë kapja e personave që dyshohen se kanë kryer krime në Kosovë.

“Këta persona të cilëve i është publikuar identiteti nga personi i cili po tregoni ju, jo vetëm që nuk hyjnë më në Kosovë por fatkeqsisht nuk do të dalin as nga Serbia për shkak se tani ata e dijnë se mund të kërkohen nga INTERPOL-i dhe në këtë mënyrë bëhet e paarritshme për organet e ndjekjes së Kosovës”, tha Hajdari për KALLXO.com.

Ajo madje shtoi edhe se nëse dikush ka prova për krimet e luftës në Kosovë të drejtohet për në Prokurorinë Speciale.

“Nësë dikush posedon prova, rrjetet sociale nuk jane vend për zbulimin e tyre por adresa është Prokuroria Speciale. Hetimet dëmtohen pasi që personat në këtë mënyrë nëse publikohen edhe nëse po supozojmë se janë përfshirë dhe nëse kanë pasur plane me ardh në Kosovë më nuk vijnë, dhe kjo mënyrë e publikimit të informatave të fotografive edhe të dhënave personale dëmton hetimin”, tregoi tutje ajo.

Jetlir Zyberaj, këshilltari i Ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacollit, me anë të një statusi në rrjetin social Facebook,  ka publikuar disa fotografi me të dhëna personale për të cilat pretendon se janë kryerësit e Masakrës së Reçakut.

“Këta persona #këtu janë ata që kanë kryer masakrën e Reçakut dhe nuk janë përballur me drejtësinë. Prokurorët tanë duhet t’i padisin dhe listojnë në Interpol. Ka ardhur koha për të krijuar një Gjykatë për genocidin serb në Kosovë dhe masakra e Reçakut duhet të jetë rasti i saj i parë e saj. Gjithashtu ligji për mohimin e gjenocidit duhet të miratohet dhe zbatohet. Ata që ofendojnë viktimat dhe të kaluarën tonë duhet të sillen para drejtësisë”, ka shkruar Zyberaj.

KALLXO.com raportoi se deklarata se “masakra e Reçakut është një trillim dhe është sajuar nga William Walker”, nga ana e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mund t’i kushtonte me përballje me Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Kjo pasi që për një deklaratë të tillë ditë më parë Gjykata e Prishtinës e dënoi me dy vjet burgim ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Ivan Todosijeviq.

Ai është gjetur fajtor për një deklaratë të dhënë vitin e kaluar me të cilën e quante trillim masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999, kur forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.

KALLXO.com raportoi edhe gjatë ditës së djeshme se avokati kosovar Tomë Gashi ka bërë të ditur se ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili e ka mohuar masakrën e Reçakut në kohën e luftës në Kosovë.

KALLXO.com raportoi vazhdimisht në lidhje me reagimet  për deklaratat e Vuçiq.

Deklarata për masakrën e Reçakut, Vuçiq mund të përballet me Prokurorinë Speciale të Kosovës

Reagon ashpër Tirana ndaj Vuçiqit: Gjaku i Reçakut nuk bëhet ujë

BE dënon mohimin e Masakrës së Reçakut nga Aleksandër Vuçiqi

.