Prokurorja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan: Targeti ishte shoferi i autobusit

Një vit e gjysmë nga vrasja e trefishtë që kishte ndodhur mbrëmjen e 26 nëntorit të vitit 2021, gjatë ditës së sotme Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë për tre persona, konkretisht Kastriot e Kreshnik Mehmetaj nën dyshimet për bashkëkryerje në vrasje të rëndë si dhe për Halil Mehmetaj për veprën penale shtytje në kryerje të veprës penale.

Prokurorja e rastit Sahide Gashi tha se pas të gjitha provave, fakteve, analizave forenzike dhe punës që është kryer përgjatë këtyre muajve, ka dalë se targeti i të dyshuarve ishte shoferi i autobusit i cili vdiq në mbrëmjen e 26 nëntorit.

“Janë siguruar incizime të të gjitha kamerave përgjatë rrugëtimit të autobusit të sulmuar. Janë marrë intervistat e para me pasagjerët e mbijetuar të autobusit, është nxjerrë profili i kryerësit dhe personave e viktimave të këtij rasti, dhe kemi ardhur në përfundim preliminar pas grumbullimit të të gjitha informatave, kemi arritur që të konstatojmë me besueshmëri të lartë se nuk ka pasur indikacione të sulmit terrorist. Target i sulmit ka qenë shoferi i autobusit”- ka thënë prokurorja Gashi.

Ajo nuk pranoi të tregoj saktësisht për rolin e tre tashmë të akuzuarve për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Komunës së Deçanit.

Tutje ajo shtoi se krimi ishte menduar mirë.

“Zhdukja e kryerësit pa lënë asnjë gjurmë është tregues i mirë që ai e ka njohur mirë terrenin ose është ndihmuar. Hetuesi nën udhëheqjen time nga fillimi deri në përfundim të hetimeve ka proceduar deri mbi 86 persona, janë analizuar pamje nga kamerat e sigurisë, janë dërguar prova në feronzikë në Prishtinë për ekzaminim dhe jashtë shtetit, janë siguruar informata prej jashtë shtetit, janë ndjekur qindra pista të hetimit, si përfundim nga të gjitha hetimet kemi arritur që të sigurojë prova të përshkruara në aktakuzë”- tha Gashi.

Tre persona kishin mbetur të vdekur dhe një ishte plagosur, nga sulmi me armë zjarri që kishte ndodhur mbi autobusin me udhëtar në fshatin Gllogjan të Deçanit më 26 nëntor të vitit 2021.

Dy nga të vdekurit ishin nxënës ndërsa personi tretë sipas të dhënave zyrtare nga Policia në Pejë ishte drejtuesi i autobusit.

Ngjarja e ndodhur në Gllogjan në nëntor të vitit 2021 ishte konsideruar tronditëse edhe për opinionin publik.

Vrasja kishte ndodhur në orët e mbrëmjes deri sa një autobus po qarkullonte në rrugën nëpër Gllogjan.

Për këtë rast ishin arrestuar tre persona. Arrestimi erdhi vetëm disa ditë pas ngjarjes së rëndë që kishte ndodhur.

Fillimisht pas arrestimit, Prokurorja e rastit Sahide Gashi kishte kërkuar nga Gjykata e Pejës që të dyshuarve tu caktohej masa e paraburgimit nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje.

Gjykata e Pejës kishte aprovuar kërkesën e prokurores Gashi dhe kishte caktuar masën e paraburgimit për tre të dyshuarit.

Tutje në janar të vitit 2022 njërit nga të arrestuarve më 11 dhjetor të vitit 2021, i ishtë zëvendësuar masa e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak.

Në shkurt të vitit 2022, ishte arrestuar edhe personi i katërt i dyshuar për ngjarjen e rëndë që kishte ndodhur në Gllogjan.

Ky i dyshuar sipas burimeve të KALLXO.com, ishte familjar i tre të dyshuarve që ishin arrestuar paraprakisht.

KALLXO.com në atë kohë kishte raportuar se në drejtim të autobusit i cili u qëllua me Kallashnikov janë shkrepur më pak se dhjetë plumba. Të gjithë plumbat kanë qëlluar personat në autobus, tre prej të cilëve nuk arritën t’u mbijetonin plagëve të marra e një tjetër është ende duke u trajtuar.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur predhat e plumbave të Kallashnikovit me të cilin u sulmua autobusi.

Ekipe të shumta policore, prokuroria speciale, ajo e Pejës, autoambulanca e njësi të tjera të institucioneve të sigurisë e drejtësisë kishin dalë në atë kohë të gjithë në vendin e ngjarjes për disa ditë me radhë për të zbuluar rastin.

Për disa ditë ekipet e policisë kontrolluan në çdo cep për të gjetur prova dhe fakte në lidhje me vrasjen e cila ndodhi në Gllogjan.

Vrasja e trefishtë në Gllogjan, prokuroria ngriti aktakuzë ndaj 3 personave – VIDEO