Prokurorja në rastin e vrasjes me pagesë kërcënohet me djegie të fëmijëve

Prokuroria e Pejës ka zbardhur disa përgjime që i janë bërë të akuzuarve në lidhje me vrasjen e Ferdinand Gjinit. Përmes përgjimeve prokurorja e rastit zbuloi edhe kërcënimet që iu bënë.

Bekim Raja, Gjon Pnishi, Avni dhe Murat Sinanaj, akuzohen se duke vepruar në bashkim kriminal, në qershor të vitit 2014 e kanë vrarë Ferdinand Gjinin.

Prokurorja Valbona Dishaj-Haxhosaj e ballafaqoi njërin nga të akuzuarit, Avni Sinanaj, me disa fjalë kërcënuese që sipas saj i kishte thënë Sinanaj.

Prokurorja tha se kërcënimet përfshinin vrasjen e fëmijëve të saj dhe kidnapimin e burrit.

“Për kanosjen drejtuar mua, ku ki thënë se ki me mi djeg e pre fëmijët, për planin me kidnapu burrin tim..etj, a po kërkon falje?”,  pyeti prokurorja.

Në lidhje me këtë,  i akuzuari Sinanaj tha se nëse është nevoja do të kërkojë falje 100 herë.

“Unë burrin e prokurores e kom shok lufte dhe mu më ka qitë puna me të e kom lavdëru, unë me familjarë kam folë prej mllefit tem dhe mua mu ka dok që prokurorja po ma bën për inati, nëse o nevoja kom me kërku falje 100 herë”, tha Sinanaj.

Në seancën e së hënës, Avni Sinanaj dha mbrojtjen e tij . Ai mohoi që i akuzuari Gjon Pnishi ia kishte bartur atij porosinë nga Bekim Raja për vrasjen e tani të ndjerit Ferdinand Gjini.

Avokatja e tij  Kosovare Kelmendi  e pyeti Sinanajn lidhur me kontaktin e tij me Gjon Pnishin.

“Gjon Pnishi ka ardhur nga Zvicra dhe të ka përcjellur një porosi prej Bekim Rajës për vrasjen e Ferdinand Gjinit, a është e vërtete kjo?”, e pyeti ajo.

I akuzuari e mohoi këtë.

“Mua kurrë në jetë nuk me ka thënë askush, dhe nuk ka qenë i vërtetë ky llaf”, tha ai.

Ai tha se ditën që është vrare Ferdinand Gjini, nuk është takuar me Gjon Pnishin.

“Jo kurrë ,as ditën që jam arrestuar nuk jam takuar me Gjon Pnishin, as nuk ma merr mendja qe jom ndi me to” tha ai.

Prokurorja e rastit Valbona Disha-Haxhosaj, ballafaqoi të akuzuarin Sinanaj me mesazhin telefonik qe ky i fundit kishte pranuar nga Gjon Pnishi, sipas prokurores mesazh ky i siguruar përmes përgjimeve.

“Më datë 22.02.2017, ju keni pranuar një sms nga Gjoni, nëse nuk më bini mbas, kom me tregu për Muratin qe e ka vra, për Bekimin qe i ka dërguar paret, për ty e për mu. A i bie kjo qe ka kërkuar ndihmë sepse ju thatë Gjoni nuk ka kërkuar kurrë ndihme”, tha prokurorja.

“Kurrë në jetë nuk ka kërkuar ndihmë përpos këtij mesazhi”, u përgjigj i akuzuari.

Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj Bekim Rajës, Murat Sinanaj dhe Avni Sinanaj nën dyshimet se në maj të vitit 2012, në Zvicër, i pandehuri Bekim Raja me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt e ka porositur të pandehurin Gjon Pnishi, që ky i fundit së bashku me të pandehurit Avni dhe Murat Sinanaj të kryejnë vrasjen e viktimës Ferdinand Gjinit, duke premtuar dhe dhënë shpërblimin prej 100 mijë franga.

Sipas aktakuzës, më 23.06.2014, në Prapaqan të Deçanit, të pandehurit Gjon Pnishi, Avni dhe Murat Sinanaj, duke vepruar sipas marrëveshjes paraprake, në mënyrë dinake dhe e kanë shfrytëzuar krizën financiare të viktimës dhe e kanë mashtruar të njëjtin me substance narkotike, në atë mënyrë që viktima niset me veturë nga Gjakova për në Deçan, e i përcjellë nga i pandehuri Gjon Pnishi, për të shkuar dhe për të marrë një sasi të substancave narkotike, ashtu siç i kishte premtuar i pandehuri Avni.

Me këtë rast i pandehuri Gjon, duke vepruar sipas sugjerimeve të të pandehurit Avni Sinanaj, i zë pritën dhe me të kaluar viktima me veturë mbi urë, i pandehuri Sinanaj gjuan me armë automatike në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Për vrasjen e Ferdinand Gjinit ishte gjykuar më parë nga Gjykata në Pejë i akuzuari Gjon Pnishi, i cili u shpall fajtor dhe u dënua me 18 vjet burg, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Për të njëjtin rast u arrestuan edhe Bekim Raja, Avni Sinani dhe Murat Sinani.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Pejë, i akuzuari që bashkëpunoi me prokurorinë lëviz me antiplumb në gjykatë