Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prokurorja kërkon që viktimat e dhunimeve seksuale ta kontaktojnë atë drejtpërdrejt

Prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari, në emisionin “Kallxo Përnime” ka treguar se si ka trajtuar rastin e raportimit të viktimës së dhunës seksuale dhe ka kërkuar nga viktimat e tjera që ta kontaktojnë prokuroren në Prokurori ose përmes organizatave joqeveritare.

“Opsioni i dytë është që të më kontaktojnë përmes organizatave joqeveritare, në të cilat ato janë të regjistruar si viktima dhe i janë nënshtruar trajtimit permanent nga këto OJQ”, ka thënë ajo.

Hajdari ka treguar se në data-bazën e Prokurorisë viktimat e dhunës seksuale regjistrohen vetëm me iniciale.

“Për t’i inkurajuar viktimat e tjera që t’i raportojnë rastet unë mund të ju njoftoj se si e kam proceduar këtë rast. Në radhë të parë unë kam regjistruar në data-bazën tonë të prokurorisë viktimën edhe të gjitha viktimat e dhunës seksuale me iniciale, do të thotë ato nuk kalojnë në data-bazën tonë me emër dhe mbiemër dhe nuk ka shanse që dikush të zbulojë emrin e tyre”, ka treguar prokurorja specialja.

Prokurorja Drita Hajdari ka bërë të ditur se ekziston urdhri për anonimitet.

“Jemi duke u kujdesur në Prokurori për moszbulimin e identitetit të tyre për shkak të pasojave të mundshme që mund t’i kenë këto viktima, pastaj në një procedurë të hershme të hetimit unë kam kërkuar dhe kam siguruar nga gjykata urdhrin për anonimitet, ku palës i është dhënë një kod me të cilin ajo mandej ka figuruar në shkresat e lëndës në aktakuzë dhe gjatë gjykimit. Kjo është shembull se sa jemi kujdesur për mbrojtjen e identitetit, po ashtu në aktakuzë kam kërkuar që gjykimi të jetë jopublik, është përjashtuar publiku dhe viktima e ka ndjerë veten më komod”, ka thënë Drita Hajdari.

Dje Gjykata e Prishtinës e dënoi me 10 vite burg Zoran Vukotiqin për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ky është dënimi i parë në Kosovë për këtë krim të kohës së luftës.